TAGS-AT E JAVËS

Kosova19 Nëntor 2025, 15:38

Thellohet kriza në Kosovë, Konjufca nuk arrin shumicën për krijimin e qeverisë; vendi drejt zgjedhjeve të parakohshme!

Shkruar nga Pamfleti

Thellohet kriza në Kosovë, Konjufca nuk arrin shumicën për

Glauk Konjufca nuk ka arritur që të marrë shumicën e nevojshme në Kuvend për të krijuar qeverinë...

Kuvendi i Kosovës ka votuar kundër formimit të qeverisë me kryeministër Glauk Konjufcën, ku 56 deputetë vetouan pro, 4 abstenuan dhe 53 votuan kundër.

Konjufca në prezantimin e tij kërkoi votën e deputetëve të opozitës për të shmangur një palë zgjedhje të reja, teksa tha se me urgjencë do të trajtonte buxhetin e shtetit. Ai doli para deputetëve për votim pa siguruar marrëveshje politike me ndonjë subjekt tjetër.

Në kabinetin e propozuar nga Konjufca pati fare pak dallim në emra nga ai paraprak i propozuar prej Albin Kurtit. Dallimi ishte te ministri i Infrastrukturës, ku nga Dimal Basha u propozua Besnik Bislimi.

Konjufca ishte i mandatuari i dytë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Paraprakisht, më 26 tetor Albin Kurti dështoi në votimin e parë. Pas tij presidentja Vjosa Osmani më 4 nëntor e mandatoi Konjufcën.

Me rastin e dështimit të Konjufcës, tani presidentja është e obliguar t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme që duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga dita e shpalljes.

Para seancës për votimin e Konjufcës, Kuvendi hapi seancën për formimin e komisioneve, por nuk pati kuorum për vendimmarrje, për shkak të mungesës së partive që deri tash ishin në opozitë, që kanë kundërshtuar iniciativën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kujtojmë se zgjedhjet e fundit parlamentare u mbajtën më 9 shkurt, ku Lëvizja Vetëvendosje doli e para me 42.30 për qind të votave, e pasuar nga PDK-ja me 20.95 për qind, LDK-ja me 18.27 për qind dhe AAK-Nisma me 7.8 për qind të votave. Që nga shkurti, Kosova është zhytur në një krizë të thellë politike dhe prej 10 muajsh nuk ka arritur dot që të krijojë një qeveri dhe e ka lënë vendin në 'vend numëro'. Faktori ndërkombëtarë ka bërë thirrje herë pas here për bashkëpunim dhe kapërcim të krizës, por deri më tani pa rezultat. 

Lini një Përgjigje