
Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës për vrasjen e Marigona Osmanit.
Sipas vendimit, me aktgjykimin e shkallës së parë Krivaqa ishte shpallur fajtor për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ky vendim ishte konfirmuar edhe nga gjykata e apelit.
“Kolegji gjykues i Gjykatës së Lartë ka vendosur lidhur me ankesën e paraqitur nga mbrojtja e të pandehurit D.K., për veprën penale të vrasjes së rëndë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Kolegji gjykues ka vlerësuar se gjykatat e shkallëve më të ulëta kanë analizuar në mënyrë të detajuar të gjitha provat e paraqitura gjatë shqyrtimit gjyqësor, përfshirë dëshmitë e dëshmitarëve, raportet e ekspertizës dhe provat materiale, si edhe pamjet filmike të administruara nga banesa ku qëndronin i pandehuri dhe viktima.
Sipas vendimit, nga këto prova është konstatuar se viktima, M.O., ka qenë në gjendje të rëndë fizike gjatë periudhës përkatëse dhe se dëmtimet e saj kanë ardhur si pasojë e veprimeve të dhunshme të të pandehurit.
Gjykata e Lartë ka marrë në shqyrtim edhe raportin e autopsisë dhe deklarimet e ekspertëve mjeko-ligjorë. Sipas tyre, vdekja e viktimës ka ardhur si pasojë e dëmtimeve të shumta trupore (politraumë), të shkaktuara nga goditje me mjet të fortë.
Në vendim theksohet se viktima ka përjetuar dhimbje të forta fizike në momentin e shkaktimit të dëmtimeve, çka ka mbështetur cilësimin juridik të veprës si vrasje e kryer në mënyrë mizore.
Kolegji gjykues ka shqyrtuar edhe pretendimet e mbrojtjes lidhur me procedurën e rigjykimit, ekspertizën psikiatrike të të pandehurit dhe pretendimet për ndikim të lëndëve narkotike. Sipas Gjykatës së Lartë, këto pretendime nuk janë mbështetur me prova që do të vinin në dyshim ligjshmërinë e vendimeve të dhëna nga gjykatat e mëparshme.
“Nga raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike rezulton se tek i pandehuri nuk është konstatuar ndonjë çrregullim mendor i karakterit psikotik dhe se ai ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij”, thuhet në vendim.
Lini një Përgjigje