
Aktori i njohur i humorit, Albano Bogdo, ka ndarë detaje nga jeta e tij personale gjatë një interviste në “Grida Duma Podcast”, ku ka folur hapur për marrëdhëniet e tij dhe raportin me dashurinë.
“Jam fejuar katër herë,” u shpreh Bogdo, duke theksuar se secila prej historive ka pasur peshën dhe rëndësinë e vet në jetën e tij.
Ai kundërshtoi perceptimin se është i paqëndrueshëm në marrëdhënie, duke sqaruar se ndarjet nuk kanë ardhur për mungesë ndjenjash, por për shkak të mospërputhjeve në mënyrën e të jetuarit.
“Më duan shumë njerëz, thjesht s’ka funksionuar. Unë kështu funksionoj. Në qoftë se nuk pëlqen… nuk mund të ndryshoj 75% të vetes që të ndihesh ti e lumtur. Ç’kuptim ka bota në qoftë se unë s’jam vetvetja ta shijoj?”, tha ai.
Në bisedë, Bogdo tha gjithashtu se një marrëdhënie ka nevojë për nuanca dhe tensione të vogla, por jo përtej një kufiri të caktuar.
“Dashuria do pak toksicitet. Kur bëhet pak më shumë se ç’duhet, pastaj nuk duhet më”, u shpreh aktori.
Një nga momentet më personale të intervistës ishte kur u pyet nëse e sheh veten baba në këtë fazë të jetës. Bogdo pranoi se për vite me radhë ka pasur një frikë të brendshme që lidhet me figurën e të atit.
“Fobia më e madhe që kam pasur gjithë jetën… është sepse e njoh shumë mirë veten dhe i ngjaj shumë babait tim. Në qoftë se vendos të bëhem baba, vendos me dëshirën më të madhe në botë për të qenë babai i tyre derisa të vdes, t’u jem prezent gjithë kohës. Nuk më bënte askush të ndihesha se doja të bëhesha baba”, deklaroi ai.
Rrëfimi i Bogdos vjen si një moment reflektimi personal, ku përtej humorit që e karakterizon në skenë, ai shfaqet i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë për dashurinë, frikërat dhe përgjegjësinë që sjell krijimi i një familjeje.
Lini një Përgjigje