Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur për publikun si Gjesti, ka dhënë dëshminë e tij në gjykatë lidhur me incidentin për të cilin po hetohet në Prishtinë.
Gjatë seancës, ai deklaroi se ngjarja ndodhi në një moment të vështirë emocional dhe kërkoi falje për situatën e krijuar.
“Dua ta njoftoj gjykatën se jam në ankth dhe kam vepruar në gjendje ankthi. I kërkoj falje gjykatës, prokurorit dhe palës së dëmtuar”, u shpreh ai para trupit gjykues.
Nga ana tjetër, avokati mbrojtës kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, duke argumentuar se reagimi i artistit ka qenë impulsiv dhe se në raste të tilla zakonisht nuk ekziston rreziku i përsëritjes së një veprimi të tillë.
Megjithatë, Gjykata në Prishtinë vendosi t’i caktojë këngëtarit masën e paraburgimit prej një muaji.
Gjesti u arrestua më 11 mars 2026 në Prishtinë, nën dyshimin për armëmbajtje pa leje. Sipas Policisë, arrestimi u bë rreth orës 15:00 në rrugën “Mehmet Isahi”, ku ai u ndalua dhe më pas u shoqërua në komisariat për t’u marrë në pyetje. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit ai u vendos në ndalim policor për 48 orë.
Një ditë më vonë, më 12 mars 2026, mediat raportuan edhe rrethanat që çuan në arrestimin e tij. Sipas burimeve, këngëtari kishte shkuar në zyrat e kompanisë muzikore Onima, ku dyshohet se pati një konflikt verbal me drejtuesin e saj, Erkand Shabani.
Sipas raportimeve, debati u përshkallëzua dhe gjatë incidentit dyshohet se u dëmtua një kompjuter në ambientet e kompanisë, çka bëri që drejtuesit të njoftonin Policinë për kanosje dhe dëmtim prone.
Lini një Përgjigje