
Reklama e Krishtlindjeve e McDonald’s, e krijuar me Inteligjencë Artificiale, ka shkaktuar stuhi reagimesh negative në Holandë, duke u cilësuar nga shikuesit si “e frikshme” dhe “reklama më e tmerrshme e vitit”.
Videoja 45-sekondëshe, e publikuar më 6 dhjetor në kanalin zyrtar të McDonald’s Holandë në YouTube, u hoq vetëm pak ditë më vonë, pasi kritikat shpërthyen në rrjetet sociale. Një përdorues në Twitter shkroi: “Kjo është reklama më e tmerrshme që kam parë këtë vit”, ndërsa të tjerë e përshkruan si një përzierje shqetësuese pamjesh të çuditshme dhe montazhi të dobët.
Reklama, e realizuar nga agjencia holandeze TBWA\Neboko në bashkëpunim me kompaninë amerikane The Sweetshop, synonte të tregonte gjithçka që mund të shkojë keq gjatë festave të Krishtlindjeve, nën sloganin provokues “koha më e tmerrshme e vitit”, duke sugjeruar se shpëtimi gjendej… në McDonald’s.
Por ajo që u mendua si ‘humor i zi’, u perceptua nga publiku si diçka thellësisht shqetësuese. Kritikët u fokusuan jo vetëm te personazhet “të frikshëm”, por edhe te përdorimi i Inteligjencës Artificiale, duke ngritur alarmin për humbjen e vendeve të punës në industrinë kreative. “Asnjë aktor, asnjë kameraman… mirë se vini në të ardhmen e filmit. Dhe është e tmerrshme”, shkruante një komentues.
Përballë reagimeve të forta, McDonald’s pranoi për BBC se ky ishte “një mësim i rëndësishëm”, duke theksuar se kompania ende po përpiqet të gjejë mënyrën e duhur për një përdorim “më efektiv” të IA-së.
Nga ana tjetër, CEO e The Sweetshop, Melanie Bridge, e mbrojti projektin, duke këmbëngulur se reklama nuk ishte një eksperiment i shpejtë teknologjik. Sipas saj, prodhimi zgjati shtatë javë, me një ekip që “mezi flinte”, duke krijuar mijëra pamje të redaktuara me kujdes. “Nuk ishte një mashtrim i inteligjencës artificiale. Ishte një film”, deklaroi ajo.
Megjithatë, për publikun holandez, mesazhi ishte i qartë: Krishtlindjet mund të jenë stresuese, por kjo reklamë i çoi gjërat shumë larg.
McDonald's unveiled what has to be the most god-awful ad I've seen this year – worse than Coca-Cola's.
— Theodore McKenzie (@realTedMcKenzie) December 6, 2025
Fully AI-generated, that's one. Looks repulsive, that's two. More cynical about Christmas than the Grinch, that's three.
I don't wanna be the only one suffering, take a look: pic.twitter.com/lRYODLkkBJ
Lini një Përgjigje