
Jeff Bezos dhe partnerja e tij Lauren Sánchez kanë lançuar Fondin Bezos për Tokën, duke ndarë rreth 34 milionë euro për zhvillimin e materialeve të reja të qëndrueshme në industrinë e tekstileve.
Qëllimi i iniciativës është krijimi i alternativave ndaj materialeve të përdorura gjerësisht si pambuku dhe poliesteri, të cilat kërkojnë burime të mëdha për prodhim dhe kanë ndikim të konsiderueshëm mjedisor. Në fokus janë fibra të biodegradueshme dhe mëndafsh sintetik pa bazë plastike.
Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, materiale si poliesteri dhe viskoza prodhohen nga lëndë fosile si nafta dhe qymyri, duke u përdorur masivisht në industrinë e modës së shpejtë dhe në segmentin luksoz. Problemi kryesor i tyre mbetet mosdegradimi dhe ndotja përmes mikroplastikës që përfundon në ekosistemet ujore.
Përmes këtij projekti synohet zhvillimi i pëlhurave të reja të krijuara nga burime alternative si bakteret dhe mbetjet bujqësore, me potencial për të transformuar mënyrën e prodhimit të veshjeve në shkallë industriale.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se sfida kryesore mbetet kostoja e lartë dhe vështirësia e aplikimit masiv në treg, pasi industria shpesh mbështetet te materiale më të lira dhe të njohura. Revista Vogue ka vënë në dukje se edhe kur ekzistojnë alternativa të qëndrueshme, tregu dhe konsumatorët priren të zgjedhin opsionet më ekonomike.
Në këtë kontekst, projektet për “tekstilet e së ardhmes” shihen si një hap ambicioz drejt një industrie mode më të pastër, por ende me sfida të mëdha përpara zbatimit global.
Lini një Përgjigje