Valbona Selimllari, ishte e ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në Shqipëria Live, ku foli për eksperiencën e saj të fundit brenda shtëpisë së Big Brother VIP 5.
E pranishme si anëtare jurie në spektaklin “Miss & Mister” të zhvilluar brenda formatit, Selimllari tregoi se kishte përjetuar një mbrëmje me shumë energji pozitive. Sipas saj, atmosfera mes banorëve ishte e ngrohtë dhe bashkëpunuese, ndërsa organizimi i spektaklit kishte sjellë një frymë harmonie në shtëpi.
“Jemi kënaqur shumë. Ishin të gjithë shumë të mirë,” – u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet se përtej tensioneve që shpesh shfaqen në ekran, ekzistojnë edhe momente afrimiteti dhe respekti mes konkurrentëve.
Duke ndalur te komentet dhe debatet që shpërthejnë shpesh në rrjetet sociale, veçanërisht në Instagram, Selimllari dha një mesazh për publikun që ndjek programin: të përqendrohen më shumë te emocionet dhe marrëdhëniet që krijohen, sesa te polemikat.
“Në fund ju thashë: shijojeni këtë gjë. Edhe nëse ka debate në Instagram, shijojini. Është një marrëdhënie e bukur që krijoni me njëri-tjetrin,” – tha ajo.
Gjatë intervistës, Sidorela Gjoni e provokoi disi, duke e pyetur nëse do ta mendonte ndonjëherë pjesëmarrjen si konkurrente në “Big Brother VIP”. Reagimi i Selimllarit ishte i menjëhershëm dhe i prerë: “Jo, jo, jo. Obobo, çfarë reagimi! Jo.”
Ajo sqaroi se arsyeja nuk lidhet me frikën nga ekspozimi apo mungesën e vetëbesimit, por me natyrën e saj.
“Jam tip që nuk mund të mbyllem në një vend për një kohë kaq të gjatë, e kam të pamundur. Kam rregullat e mia dhe disa gjëra me të cilat nuk bëj kompromis,” – u shpreh ajo.
Megjithatë, Selimllari theksoi se nuk e ka problem përballjen me karaktere të ndryshme apo situata të vështira. “I rri përballë çdo natyre, sepse jemi të ndryshëm në këtë jetë. Por thjesht nuk do të mundesha ta bëja,” – përfundoi ajo.
Lini një Përgjigje