
Liverpuli, pas një periudhe tensioni, do të zhvillojë këtë të premte një bisedë vendimtare mes trajnerit Arne Slot dhe yllit të tij Mohamed Salah, pas deklaratave të fundit të egjiptianit që nënkuptonin një largim të mundshëm nga klubi.
Salah, 33 vjeç, u përjashtua nga skuadra e Liverpulit për ndeshjen kundër Interit të martën, pas një interviste të dhënë pas barazimit me Lidsin, ku ai tha se ishte “hequr në autobus” dhe se marrëdhënia e tij me trajnerin Arne Slot ishte “thyer”. Ky koment i Salah solli spekulime në lidhje me të ardhmen e tij në “Anfield Road”, duke ngjallur dyshime nëse sulmuesi mund të kishte luajtur ndeshjen e tij të fundit për Liverpulin.
Duke pasur parasysh se Salah pritet të bashkohet me Egjiptin për përgatitjet e Kupës së Kombeve të Afrikës javën e ardhshme, ka pasur pyetje në lidhje me të ardhmen e tij në klub. Megjithatë, Arne Slot ka konfirmuar se do të zhvillojë një bisedë të drejtpërdrejtë me Salah këtë mëngjes për të diskutuar situatën dhe për të gjetur një rrugëdalje.
Në një konferencë për shtyp para ndeshjes së Liverpulit kundër Brajtonit nesër, Slot tha: “Do të bisedoj me Mo këtë mëngjes. Rezultati i atij bisedimi do të përcaktojë se si do të veprojmë më tej.”
“Unë kam nevojë për një bisedë me të, dhe herën tjetër që do të flas për Mo, duhet të jetë me të dhe jo këtu në këtë sallë”, shtoi ai. “Nuk mund të them më tepër. Do të flas me të sot dhe rezultati do të përcaktojë se si do të duket situata nesër.”
Slot gjithashtu theksoi se kishte pasur shumë biseda në javët e fundit, duke përfshirë ato mes përfaqësuesve të Salah dhe stafit të Liverpulit. “Kemi folur shumë gjatë javës së fundit, që nga ndeshja kundër Sandërlendit,” përfundoi trajneri i Liverpulit.
Lini një Përgjigje