TAGS-AT E JAVËS

Sport19 Prill 2025, 17:32

Beshiraj mban Teutën në Superiore, fati i Tiranës vendoset javën e fundit; Elbasani nxjerr Partizanin jashtë “Final 4”, fitore jetike për Laçin

Shkruar nga Pamfleti

Beshiraj mban Teutën në Superiore, fati i Tiranës vendoset

U luajtën sot ndeshjet e javës së 35 në Abissnet Superiore, java e parafundit e sezonit të rregullt. Të pesta sfidat u luajtën në të njëjtin orar. Në asnjë prej ndeshjeve nuk u shënuar gol në 45 minutat e para.

Në “Elbasan Arena”, Elbasani-Vllaznia, pjesa e dytë nisi me gol. Shkodranët gjetën golin me Bekim Balaj në minutën e 47, pas asistit të Esat Malës. Barazimi i vendasve erdhi në minutën e 80, ku Gjoni dërgoi me kokë topin në rrjetë. Rezultati përfundimtar 1-1.

Në “Adush Muça” në Ballsh, goli i parë dhe i vetëm në sfidën mes Bylisit dhe Partizanit erdhi në minutën e 67, ku Përndreca shënoi një supergol me roveshatë pas krosimit nga goditja e këndit.

Në “Arenën Kombëtare”, Tirana u përball me Teutën. Në minutën e 68, bardheblutë patën shansin e artë për të kaluar në avantazh, por Zharmuni gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, goditja e tij u ndal nga portieri i Teutës, Tafas, i cili ishte po ai që shkaktoi 11-metërshin duke penguar sulmuesin e bardhebluve.

Tiranën e “ndëshkon” ligji i pashkruar i futbollit: po nuk shënove, do të pësosh. Teuta gjeti golin në minutën e 80 me Mario Beshiraj, i cili nuk festoi në shenjë respekti duke qenë se ka veshur më parë fanelën e bardhebluve.

Në sfidën mes Laçit dhe Dinamos, goli i parë i takimit erdhi në minutën e 77. Vendasit gjetën golin me Kordeiro, kujtojmë se “Blutë” luajtën me një lojtar më pak 25 minutat e fundit, pas ndëshkimit me dy kartonë të verdhë të Gudiabi.

Në sfidën e fundit, Egnatia-Skënderbeu u mbyll në barazim pa gola. Përsa i përket renditjes, Elbasani dhe Partizani do të përcaktojnë ekipin e fundit që do të shkojë në “Final Tour”. Të dyja ekipet do të përballen në javën e fundit në “Arenën e Demave”.

Teuta me fitoren e sotme ka siguruar qendrimin në Superiore, ndërsa 4 ekipet e tjera do garojnë deri në minutën e fundit në javën e fundit. Tiranës i duhet me patjetër fitorja ndaj Dinamos dhe të shpresojë që Bylis të fitojë ndaj Skënderbeut.

 

Lini një Përgjigje