
Delegacioni shqiptar nisi zyrtarisht garimin në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026. Shqipëria merr pjesë me katër sportistë dhe të katërt konkurrojnë në disiplinat e Skive Alpine.
I pari që zbriti në pistë ishte Denni Xhepa. Skiatori 22-vjeçar garoi në disiplinën Super G për meshkuj dhe e mbylli provën në vendin e 34 nga 42 sportistë pjesëmarrës. Xhepa përshkoi pistën me kohën 1 minutë 31 sekonda e 72 të qindtat.
Koha e tij rezultoi 6 sekonda e 40 të qindtat më e lartë se ajo e fituesit të medaljes së artë, zviceranit Franjo Von Allmen. Medaljen e argjendtë e fitoi amerikani Ryan Cochren-Siegle, ndërsa medaljen e bronztë e mori zvicerani Marco Odermatt.
Në të njëjtën disiplinë garoi edhe Alban Elezi, skiator me origjinë shqiptare që përfaqëson Francën. Elezi u rendit në vendin e 15.
Denni Xhepa do të rikthehet në pistë më 14 shkurt në disiplinën e slalomit gjigand. Gara zhvillohet në dy zbritje, në orën 10:00 dhe në 13:30. Më 15 shkurt zhvillohet slalomi gjigant për femra. Më 16 shkurt zhvillohet slalomi për meshkuj dhe më 18 shkurt slalomi për femra.
Në garat e vajzave, vëmendja përqendrohet te 19-vjeçarja Lara Colturi. Ajo këtë sezon renditet në dhjetëshen më të mirë të Kupës së Botës në Ski Alpine, çka e vendos si pikën më konkurruese të delegacionit shqiptar në këtë edicion olimpik.
Milano-Cortina 2026 shënon një tjetër paraqitje të Shqipërisë në Lojërat Dimërore, me pjesëmarrje të përqendruar vetëm në disiplinat alpine dhe me objektiv përmirësimin e rezultateve individuale në raport me edicionet e mëparshme.
Lini një Përgjigje