FIFA ka hapur një hetim ndaj arbitrit australian Shaun Evans pas një gjesti të bërë gjatë ndeshjes Gjermani–Kuraçao, i cili ka ngjallur debat dhe reagime në rrjetet sociale.
Evans është filmuar duke bashkuar gishtin e madh me gishtin tregues në formën e një rrethi, ndërsa tre gishtat e tjerë i kishte të shtrirë. Edhe pse ky gjest përdoret zakonisht si shenjë miratimi, në vitet e fundit ai është lidhur nga disa grupe dhe vëzhgues me simbolikën e supremacisë së bardhë dhe sloganin “White Power”.
Pas reagimeve të shumta online, FIFA ka ndërmarrë masa të menjëhershme duke ndryshuar mënyrën e transmetimit të pamjeve nga salla VAR. Në ndeshjet pasuese, arbitrat e sistemit VAR nuk janë filmuar më përballë kamerës, por vetëm gjatë monitorimit të aksioneve në ekranet e kontrollit.
Dyshimet për lidhjen e gjestit me ideologji të urrejtjes kanë bërë që FIFA të nisë një procedurë zyrtare verifikimi, duke i dhënë arbitrit australian mundësinë për të sqaruar rrethanat dhe qëllimin e veprimit të tij.
Ndërkohë, organizata “Fare”, e cila monitoron koret, flamujt dhe simbolet raciste apo diskriminuese në ndeshjet ndërkombëtare të futbollit, ka reaguar ashpër ndaj incidentit.
“Është e qartë se ky arbitër nuk duhet të ketë më asnjë rol në këtë Botëror”, deklaroi organizata, duke e cilësuar gjestin si “neonazist”.
Deri tani, FIFA nuk ka dhënë një koment zyrtar mbi rastin. Po ashtu, nuk ka pasur reagime publike as nga Federata e Futbollit të Australisë dhe as nga Shoqata e Arbitrave Australianë.
Lini një Përgjigje