Norvegjia do të paraqitet në Kupën e Botës 2026 me ambicie të mëdha dhe me besimin se mund të jetë një nga surprizat e turneut. Përfaqësuesja skandinave mbështetet jo vetëm te talenti i brezit aktual të lojtarëve, por edhe te përvoja e trajnerit Stale Solbaken, arkitektit të rikthimit historik të ekipit në skenën më të madhe të futbollit botëror.
Solbaken arriti të drejtojë Norvegjinë drejt një kualifikimi që mungonte prej 28 vitesh, duke lënë pas rivalë të fortë gjatë eliminatoreve. Tashmë, në një grup të vështirë të Botërorit, norvegjezët shpresojnë të shkojnë përtej fazës së grupeve dhe të vazhdojnë rrugëtimin e tyre në kompeticion.
Megjithatë, historia personale e trajnerit 58-vjeçar është po aq e jashtëzakonshme sa edhe suksesi i tij në pankinë. Karriera e Solbaken si futbollist mori një kthesë dramatike në vitin 2001, kur gjatë një seance stërvitore me kombëtaren norvegjeze ai pësoi një infarkt të shkaktuar nga një problem në zemër.
Trajneri aktual i Norvegjisë u rrëzua në fushë dhe për rreth shtatë minuta zemra e tij pushoi së rrahuri. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të mjekut të kombëtares, Frank Odgard, dhe stafit mjekësor, Solbaken u reanimua dhe arriti të mbijetojë.
Pas këtij episodi, ai u detyrua t’i japë fund karrierës si lojtar dhe t’i përkushtohet profesionit të trajnerit. Hapat e parë në pankinë rezultuan të suksesshëm, veçanërisht te Kopenhagen, klubi me të cilin ndërtoi reputacion në futbollin evropian dhe arriti rezultate të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.
Gjatë periudhës së tij në Danimarkë, Solbaken u bë i njohur edhe për sfidat ndaj skuadrave të mëdha evropiane, duke fituar respektin e shumë trajnerëve të njohur, mes tyre edhe Pep Guardiola.
Sot, në prag të Kupës së Botës 2026, Solbaken synon të kurorëzojë punën e bërë me një brez të talentuar lojtarësh norvegjezë. Pas një jete të shënuar nga sfida të mëdha brenda dhe jashtë fushës, ai kërkon të shkruajë një kapitull të ri në historinë e futbollit norvegjez dhe të konfirmojë në skenën botërore sukseset e arritura gjatë kualifikueseve.
Lini një Përgjigje