
Shpëtim Hyseni është arrestuar nga Policia e Tiranës në “Komunën e Parisit”. Ish-trajneri i një skuadre futbolli në Lezhë ishte shpallur në kërkim dhe është dënuat me 1 vit burg për veprën penale “Mashtrim”.
Gjithashtu bëhet me dije se në vitin 2016, Hyseni i ka marrë një shtetasi një shumë parash me premtimin se do ta bënte pjesë të skuadrës së futbollit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Vihet në pranga një shtetas i dënuar me 1 vit burgim, pasi i ka marrë një shumë parash, një shtetasi, duke e mashtruar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, kanë organizuar punën për kapjen e tij.
Si rezultat, në Komunën e Parisit, u kap shtetasi në kërkim Shpëtim Hyseni, 55 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 1 vit burgim, për veprën penale “Mashtrimi". 55-vjeçari, në vitin 2016, kur ka qenë trajner i një skuadre futbolli në Lezhë, i ka marrë një shtetasi, një shumë parash, me premtimin se do ta bënte pjesë të skuadrës së futbollit.