
Në një klimë të tensionuar që ka shoqëruar marrëdhëniet ndërkombëtare javët e fundit, Irani ka konfirmuar synimin për të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026. Mesazhi u përcoll nga Madridi, brenda ambienteve të ambasadës iraniane në Spanjë, ku masat e sigurisë janë forcuar.
Ambasadori iranian në Spanjë, Reza Zabib, në nisje të fjalës së tij përkujtoi viktimat e konfliktit të vazhdueshëm, duke bërë homazh për, sipas tij, “100 vajzat e vrara, fëmijë të pafajshëm që humbën jetën”. Deklarata u bë në një atmosferë të heshtur, në prani të imazhit të Udhëheqësit Suprem, Ali Khamenei.
I pyetur nga e përditshmja spanjolle “Diario AS” mbi pasiguritë që mund të ndikojnë pjesëmarrjen e kombëtares iraniane në turneun e ardhshëm botëror, i cili do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, Zabib u shpreh qartë: “Irani do të shkojë në Kupën e Botës, ne kemi të drejtë të jemi atje.”
Ai e përsëriti këtë qëndrim edhe në lidhje me faktin se një pjesë e madhe e ndeshjeve do të zhvillohen në territorin amerikan. “Nuk kemi probleme, do të shkojmë”, theksoi ambasadori.
Aktualisht, nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet amerikane apo nga organizatorët e turneut lidhur me këtë çështje. Kupën e Botës 2026 do ta organizojnë bashkërisht SHBA, Meksika dhe Kanadaja, në një format të zgjeruar me 48 ekipe pjesëmarrëse.
Besoj se nuk do i pengoi kush.