Sa herë që në Itali hapet diskutimi për trajnerin e ri të kombëtares, rikthehet edhe një pyetje që prej dekadash ngjall debat: a mund t’i besohet stoli i “Axurrëve” një tekniku të huaj?
Historia e përfaqësueses katër herë kampione të botës tregon se kjo ide ka qenë pothuajse gjithmonë e papranueshme. Federata Italiane e Futbollit ka zgjedhur vazhdimisht trajnerë vendas, duke e kthyer pankinën e kombëtares në një simbol të traditës.
Eksperimenti i vetëm me Helenio Herrerën
Për të gjetur një trajner jo-italian në stolin e Italisë duhet të kthehemi plot 60 vite pas, në vitin 1966. Pas eliminimit turpërues nga Koreja e Veriut në Kupën e Botës në Angli, federata vendosi të provonte një formulë të pazakontë.
Legjendari argjentinas Helenio Herrera, i njohur për sukseset me Interin dhe stilin e famshëm "Catenaçio", u emërua së bashku me italianin Ferruçio Valkarexhi në drejtimin e kombëtares.
Vetëm katër ndeshje në pankinë
Eksperimenti nuk zgjati shumë. Dyshja drejtoi Italinë në vetëm katër ndeshje, duke regjistruar tre fitore dhe një barazim. Më pas Herrera u tërhoq për t’iu përkushtuar Interit, ndërsa Valkarexhi mori i vetëm drejtimin e skuadrës.
Vendimi rezultoi i suksesshëm, pasi Valkarexhi e udhëhoqi Italinë drejt triumfit në Kampionatin Europian të vitit 1968 dhe më pas deri në finalen e Kupës së Botës në vitin 1970.
Tradita vijon edhe sot
Edhe më herët kishte pasur raste sporadike me teknikë të huaj në role ndihmëse ose këshilluese, si hungarezi Lajos Zeizler në Botërorin e vitit 1954 dhe anglezi Uilliam Garbut në vitet ’20, por asnjëherë si trajner i vetëm i kombëtares.
Edhe pse futbolli modern ka bërë që shumë përfaqësuese të mëdha t’u besojnë drejtimin trajnerëve të huaj, Italia i mbetet besnike filozofisë së saj. Pankina e “Axurrëve” vazhdon të konsiderohet territor i rezervuar për trajnerët italianë, duke ruajtur një traditë që prej dekadash nuk ka ndryshuar.
Lini një Përgjigje