Portieri 40-vjeçar konfirmoi se ndeshja ndaj Paraguait në Kupën e Botës ishte paraqitja e tij e fundit me kombëtaren, ndërsa kapiteni Joshua Kimmich përjashtoi mundësinë e tërheqjes…
Sipas raportimit të medias gjermane Der Spiegel, Manuel Neuer ka konfirmuar përfundimin e karrierës së tij me kombëtaren gjermane, pas eliminimit nga Paraguai në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës.
I pyetur nga ARD nëse kjo ishte ndeshja e tij e fundit me fanellën e Gjermanisë, portieri u përgjigj shkurt: "Po."
Neuer kishte njoftuar fillimisht tërheqjen nga kombëtarja pas Kampionatit Evropian 2024 të zhvilluar në Gjermani. Megjithatë, ai u rikthye për Kupën e Botës 2026 në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, duke marrë sërish vendin e titullarit, ndërsa Oliver Baumann, portieri që kishte qenë zgjedhja kryesore gjatë kualifikueseve, u rikthye në rolin e rezervës.
Në moshën 40-vjeçare, Neuer e mbyll karrierën me 128 ndeshje për kombëtaren. Humbja ndaj Paraguait, e cila u vendos me penallti (3:4), ishte paraqitja e tij e fundit me fanellën e Gjermanisë.
Në renditjen e futbollistëve me më shumë ndeshje për kombëtaren gjermane, kampioni i botës i vitit 2014 renditet i pesti, pas Lothar Matthäus (150 ndeshje), Miroslav Klose (137), Thomas Müller (131) dhe Lukas Podolski (130).
Mbetet për t'u parë se cilët futbollistë të tjerë do të vendosin t'i japin fund karrierës me kombëtaren para Kampionatit Evropian 2028, që do të zhvillohet në Britaninë e Madhe dhe Irlandë. Neuer ishte lojtari më i vjetër në përfaqësuese, ndërsa një nga të paktët mbi 30 vjeç është edhe kapiteni Joshua Kimmich.
Kimmich, 31 vjeç, përjashtoi mundësinë e tërheqjes nga kombëtarja. "Do ta kem gjithmonë energjinë për një përpjekje të re. Ajo që nuk do të bëj kurrë është të dorëzohem", tha ai.
Lini një Përgjigje