Sport11 Qershor 2024, 15:50

Çmimet për një natë Europiani, Shqipëria zgjedh hotel më shtrenjtë se Italia

Shkruar nga Pamfleti

Çmimet për një natë Europiani, Shqipëria zgjedh hotel

Shqipëria dhe Italia, jo vetëm që do të ndajnë të njëjtin grup në Europianin e Gjermanisë, por gjithashtu edhe të njëjtën zonë grumbullimi përpara sfidës debutuese për të dyja kombëtaret.

Kjo mes kuqezinjve dhe “Axurrëve” do të jetë një ndeshje pa shumë sekrete, pasi shumë lojtarë e njohin njëri-tjetrin për shkak të faktit që së bashku luajnë në Serinë A. Dy qendrat e grumbullimit janë shumë afër nga njëra-tjetra, si për kilometrat ashtu edhe për minutat. Me makinë mund të shkosh për 30-40 minuta nga Iserlohni (qyteti ku do të qëndrojë Italia) deri në Kamen (vendi ku janë akomoduar shqiponjat kuqezi).

Kjo nuk e përjashton mundësinë që të dyja ekipet të kenë edhe njerëz afër kampeve respektive për të marrë informacione apo për të “spiunuar” formacionin. Sigurisht që si Spaleti ashtu edhe Silvinjo kanë blinduar të gjitha fushat stërvitore për të mos i dhënë asnjë shans kundërshtarit që të spiunojë stërvitjet dhe të marrë informacione për formacionin në ndeshjen e parë.

Hotelet – Grupi i ferrit ku bën pjesë Shqipëria, Italia, Spanja dhe Kroacia janë gjithashtu edhe grupi me hotelet më të shtrenjta, në rast se i mbledhim në total pagesat për një natë. Rekordin për të gjitha skuadrat e Europianit e mban skuadra e Spanjës, ku një natë në hotelin e grumbulluar skuadra e De La Fuentes është afro 500 euro. Një shifër shumë më e lartë në krahasim me shtetet e tjera. Bëhet fjalë për “Der Oshbergof” që është një qendër luksoze me shumë fusha dhe në mes të gjelbërimit. Është një hotel me 5 yje, por luksi dhe kushtet janë shumë më shumë sesa kaq.

Shumë kontrast ekziston mes Spanjës dhe kombëtareve të tjera si Ukraina dhe Gjeorgjia, të cilat kanë zgjedhur hotelet më të lira ku një natë vlen respektivisht 80 dhe 81 euro. Shqipëria ka një hotel më të shtrenjtë sesa Italia, 130 kundrejt 121 euro nata. Ndërkohë që Kroacia mban vendin e dytë në grup për hotelin më të shtrenjtë me 220 euro nata. Dhe nëse klasifikimi do të bëhej për këtë, sigurisht që nuk do të kishte histori. Por ja që kualifikimi vendoset në fushën e lojës. Pas Spanjës, hoteli i dytë më i shtrenjtë është ai Holandës në Volfsburg me 353 euro nata dhe Anglia në Blakenhain me 330 euro nata.

Çmimet për një natë Europiani, Shqipëria zgjedh hotel

shqipëria hoteli "euro 2024"