TAGS-AT E JAVËS

Sport26 Shkurt 2026, 17:49

Nga largimet e mundshme te rinovimi i trajnerit, Interi përgatitet për revolucion dhe ndryshime të thella në merkaton verore

Shkruar nga Pamfleti

Nga largimet e mundshme te rinovimi i trajnerit, Interi përgatitet për

Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve përballë Bodo/Glimt, Interi pritet të përqendrohet te dy objektivat kryesore të sezonit: Kupa e Italisë dhe kampionati. Edhe pse skuadra mban një epërsi prej 10 pikësh ndaj Milanit në Serinë A, drejtuesit e klubit nuk synojnë të ndalen, duke paralajmëruar një verë me ndryshime të rëndësishme në përbërje.

Administratori i deleguar, Bepe Marota, dhe drejtori sportiv, Piero Ausilio, kanë nisur prej kohësh procesin e rinovimit të skuadrës. Brenda pak muajsh, disa lojtarë pritet të largohen, ndërsa klubi synon afrimin e elementëve më të rinj dhe më funksionalë për projektin afatgjatë.

Një nga largimet më të mundshme është ai i portierit Jan Somer. Zvicerani, i afruar në vitin 2023 për të zëvendësuar Andre Onanën, ka kontratë deri më 30 qershor dhe, sipas raportimeve, nuk pritet ta rinovojë atë. Interi synon të investojë në një portier më të ri për sezonin e ardhshëm.

Në repartin defensiv, klubi nuk planifikon të rinovojë kontratat e Francçesko Açerbit, Mateo Darmian dhe Stefan de Vraj. Të tre kanë ofruar eksperiencë dhe stabilitet, por strategjia e re duket se do t’u japë më shumë hapësirë emrave si Manuel Akanzhi, Alesandro Bastoni dhe Jan Bishek. Për Akanzhin raportohet se Interi synon ta blejë përfundimisht nga Mançester Siti, pavarësisht disa luhatjeve në paraqitje.

Në mesfushë, e ardhmja e Hakan Çalhanoglu mbetet e hapur. Edhe pse kontrata e tij skadon në vitin 2027, Gallatasaraji ka shfaqur interes për mesfushorin turk, duke ngritur pikëpyetje mbi qendrimin e tij në Milano.

Ndërkohë, Henrik Mkhitarian nuk pritet të rinovojë kontratën dhe mund të largohet pas më shumë se 170 ndeshjesh me fanelën zikaltër.

Interesi i Liverpulit për Denzel Dumfris është një tjetër çështje e hapur. Mbrojtësi holandez ka një klauzolë lirimi prej 25 milionë eurosh, e cila mund të aktivizohet gjatë merkatos verore. Po ashtu, klubi mund të shqyrtojë oferta të mundshme për Davide Fratezit dhe Luis Henrike.

Në repartin ofensiv, një nga emrat më të përfolur është Markus Turam. Sulmuesi francez, i ardhur si transferim i lirë nga Borusia Mënshengladbah në vitin 2023, vlerësohet rreth 60 milionë euro. Forma jo e qëndrueshme këtë sezon mund ta shtyjë klubin të marrë në konsideratë shitjen e tij, nëse do të vendoset për sakrifikimin e një lojtari të rëndësishëm për të financuar afrime të reja.

Në mes të spekulimeve për largime dhe afrime, një çështje që duket më e qartë është ajo e trajnerit Kristian Kivu. Tekniku aktual pritet të rinovojë kontratën deri në vitin 2028, me opsion edhe për një sezon shtesë deri në vitin 2029, duke garantuar vazhdimësi në projektin teknik të klubit.

inter merkato verore skuadra zikaltër

Lini një Përgjigje