
Trajneri i kombëtares së Polonisë, Jan Urban, është vënë në qendër të kritikave lidhur me mënyrën se si po menaxhon çështjen e grumbullimit të talentit 17-vjeçar, Oskar Pietuszevski. Në një intervistë për “Sport.pl”, në mbrojtje të tij ka dalë ish-futbollisti i njohur polak, Zbigniev Boniek.
Polonia do të përballet më 26 mars me Shqipërinë, në një ndeshje vendimtare për një vend në finalen e “play off”-it për kualifikim në Botërorin 2026. Lista e lojtarëve pritet të shpallet pas përfundimit të ndeshjeve të fazës së 1/8-ve në “Ligën e Europës” dhe “Ligës së Konferencës”.
Ende nuk ka një vendim përfundimtar nga Urban lidhur me Pietuszevskin, i cili po spikat me paraqitjet e tij te Porto. Ndërkohë, tifozët dhe mediat kërkojnë përfshirjen e tij në kombëtare. Megjithatë, trajneri ka shprehur rezervat e tij, duke theksuar se është ende herët për të krijuar pritshmëri të larta për një lojtar kaq të ri.
Boniek shprehet se talenti i ri ka gjasa të marrë një mundësi:
“Sipas mendimit tim, ai do të marrë një shans, por edhe nëse kjo nuk ndodh, nuk do të ishte surprizë”.
Ai thekson vështirësitë që hasin debutuesit në nivel ndërkombëtar, duke sjellë edhe përvojën e tij personale:
“Një lojtar që debuton përqendrohet te shmangia e gabimeve, jo te vendosja e ndeshjes. Diferencën duhet ta bëjnë lojtarët me eksperiencë si Levandovski, Zielinski dhe të tjerë.”
Sipas tij, nuk duhet ushtruar presion i tepërt mbi një 17-vjeçar, pavarësisht se Pietuszevski konsiderohet një nga zbulimet më premtuese të futbollit polak në vitet e fundit. Ai shton se mungesa e Nikola Zalevskit për shkak pezullimi mund të rrisë shanset e aktivizimit të të riut, madje edhe si titullar.
“Duhet të shmangim etiketimin e tij si shpëtimtar. Kjo nuk i shërben as lojtarit dhe as ekipit”, thekson Boniek.
Në vijim, ish-futbollisti ndalet te rëndësia e ndeshjes me Shqipërinë, duke paralajmëruar për rrezikun që mbart kjo përballje:
“Një humbje ndaj Shqipërisë do të ishte një goditje e fortë për futbollin polak dhe do të kishte pasoja serioze për trajnerin dhe skuadrën.”
Ai e cilëson Shqipërinë si një kundërshtar të fortë dhe të paparashikueshëm, duke vlerësuar formën dhe përvojën e saj në vitet e fundit:
“Është një ekip inteligjent në lojë dhe në një nga momentet më të mira. E ka dëshmuar veten edhe në eliminatoret e fundit.”
Boniek kujton gjithashtu se ndeshja e fundit mes dy ekipeve në Varshavë u fitua nga Polonia minimalisht, 1-0, dhe me shumë vështirësi.
Në përfundim, ai nënvizon se pavarësisht favorizimit në letër, Polonia nuk duhet ta nënvlerësojë kundërshtarin:
“Shqipëria mund të surprizojë në çdo moment. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe nuk ka vend për gabime.”
Lini një Përgjigje