
Nuk është derbi i zakonshëm dhe as sfida që ndan kampionatin në dysh. Tirana dhe Partizani përplasen këtë të diel në një nga momentet më të errëta të historisë së tyre të fundit; jo për shkak të rivalitetit, por sepse të dyja po zhgënjejnë thellësisht.
Tirana vjen e shkatërruar nga humbja 6-2 përballë Dinamos dhe me vetëm një fitore të vetme në kampionat, pikërisht ndaj Partizanit në ndeshjen e parë. Në krahun tjetër, “Demat e Kuq” e Besnik Prengës, edhe pse fituan 1-0 në takimin e fundit, nuk po arrijnë të bindin në fushë as me lojë e as me organizim.
Statistikat janë brutale për të dyja skuadrat. Partizani është skuadra e dytë më e dobët për zotërimin e topit në të gjithë Superligën, me vetëm 44.6%, duke u renditur menjëherë pas Bylisit. Më keq akoma është përqindja e pasimeve të sakta, ku me 76.3% Partizani është i fundit në kampionat. Nga ana tjetër, Tirana është ekipi që lejon më shumë goditje në portë, rreth 12.5 për ndeshje, shifër që tregon një mbrojtje tërësisht të rrënuar. Sa i takon efikasitetit në sulm, Partizani është i fundit me 21.8% goditje në portë, ndërsa Tirana ruan një mesatare më të pranueshme, me 37.6%.
Kjo përballje nuk është më simboli i garës për titull, por pasqyra e degradimit të dy ikonave të futbollit shqiptar. Një duel që do të luhet nën hijen e krizës teknike, menaxheriale dhe ndoshta edhe institucionale.
Në këtë atmosferë të elektrizuar, me stadiumin “Air Albania” që do të jetë i mbushur por jo me optimizëm, mbetet të shihet nëse kjo sfidë do të shërbejë si kthesë për njërën palë, apo do të fundosë më thellë të dyja skuadrat në një sezon që po shkon drejt harresës.
Lini një Përgjigje