TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Tetor 2025, 19:10

Pajaziti mungon ndaj Serbisë, Silvinjo fton në kombëtare futbollistin që ka 6 muaj që e ndjek

Shkruar nga Pamfleti

Pajaziti mungon ndaj Serbisë, Silvinjo fton në kombëtare

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar pasditen e sotme seancën e radhës stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”, në kuadër të ndeshjeve ndaj Serbisë dhe Jordanisë.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se në seancën e sotme lojtarët ishin në dispozicion të trajnerit Silvinjo dhe morën ngarkesën e plotë, ndërsa Enea Mihaj u bashkua sot me ekipin dhe u stërvit i veçuar.

Stërvitja e sotme nisi me punën në palestër e më pas trajneri Silvinjo së bashku me ekipin provuan disa situata të ndryshme loje nga ana taktike.

Sakaq, trajneri Silvinjo ka vendosur të ftojë për këto dy ndeshje edhe mesfushorin Nazmi Gripshi, i cili vjen si zëvendësim për Adrion Pajazitin e dëmtuar.

Vetë Silvinjo deklaroi në konferencë për shtyp kur prezantoi listën për Serbinë se kishte 6 muaj që ndiqte lojtarin dhe nuk hodhi poshtë mundësinë që në të ardhmen ta bënte pjesë të grupit kuqezi, gjë që ka ndodhur më shpejt se sa kishte planifikuar tekniku për shkak të situatës me dëmtimet.

Gripshi do të bashkohet me ekipin gjatë ditës së mërkurë dhe do të jetë në dispozicion ndaj Serbisë dhe Jordanisë.

Seanca e radhës stërvitore e Kombëtares do të zhvillohet nesër në “Shtëpinë e Futbollit”, ndërsa po nesër, dy lojtarë do të dalin para medias në konferencë për shtyp në stadiumin “Air Albania”.

 

 

nazmi gripshi kombëtarja shqiptare adrion pajaziti

Lini një Përgjigje