Shorti i Play Off të Botërorit ra dhe Shqipëria do të përballet kundër Polonisë. Polonia na ngjall kujtimet e vjetra të Jasir Asanit, të super golit të tij.
Moderatori i emisionit “Mega Sport”, Altin Sulçe, është tërësisht i habitur me vendimet e Silvinjos në lidhje me Jasir Asanin.
“E mundëm Poloninë me Asanin, që e bëri golin nga hëna në tokë. Ka mbi 5 ndeshje që Asani nuk luan fare me Shqipërinë. Nuk paska të drejtë fare Asani të luajë një minutë? Pse e merr në Kombëtare pastaj?
Ishte super në kualifikuese, pastaj ka bërë ndeshje jo të mira dhe më vonë ishte një diskutim që pse e fut Asanin kur nuk luan mirë, tani që Asani po bën shumë gola me klubin, nuk aktivizohet. A nuk ka të drejtë Asani me gjithë ato gola të futet një minutë me Andorrën”, tha Sulçe.
Ndërkohë Kombëtarja shqiptare njohu edhe kundërshtarin e fazës play-off në shortin e hedhur në selinë e UEFA-s në Zyrih. Polonia është ekipi kundërshtar i fazës gjysmëfinale dhe në rast fitoreje, do të ndeshemi në finale ndaj ekipit fitues të çiftit Ukrainë-Suedi.
Trajneri Sylvinho komentoi shortin e Shqipërisë dhe u shpreh se Polonia është një kundërshtar i fortë, por që e njohim dhe na njeh mirë.
Polonia? – Fillimisht, e kemi merituar shumë që të jemi këtu edhe një herë tjetër. Tani luhet futboll. Po flisja me shumë të tjerë, italianë dhe përfaqësues të tjerë. Në futboll, për 90 minuta mund të ndodhë çdo gjë. E njohim mirë skuadrën kundërshtare, por edhe ata na njohin mirë gjithashtu. Luhet futboll, përgatitet ndeshja dhe ecim përpara.
Finalja e mundshme, ndaj Ukrainës ose Suedisë? – Janë të gjitha skuadra të forta, Polonia fillimisht, por edhe nga ana tjetër dy kundërshtarë të fortë. Ukrainën e njohim tashmë nga Nations League, ndërsa ndaj Suedisë kemi zhvilluar një miqësore. Janë skuadra të forta, me lojtarë të fortë. Janë katër skuadra shumë të forta.
Lini një Përgjigje