
Nga lavdia me Napolin te vitet e errëta të humbjes së kontrollit mbi jetën. Historia e Pietro Pucones, ish-sulmuesit premtues të “Axurrëve” dhe mikut të ngushtë të Diego Armando Maradonës, është një nga ato tregime që përfshin triumf, miqësi të rrallë dhe sfida personale të thella.
Pucone, pjesë e skuadrës së Napolit që fitoi titullin historik të vitit 1987, kujton sot se sa shpejt karriera e tij sportive mori kthesë.
“E lash futbollin në moshën 27-vjeçare. Të gjithë thonin se kisha talent, por nuk munda ta menaxhoja,” – rrëfen ai.
Fillimisht vazhdoi të punonte si skaut, por më pas humbi drejtimin dhe u gjend i përballur me probleme të rënda varësie dhe vështirësi personale, derisa ra në një situatë shumë të rëndë.
“Jetoja në një stol dhe nuk kisha më asnjë kontroll mbi jetën time,” – kujton ai. “Jam ringritur falë familjes sime, miqve dhe ish-shokëve të ekipit. Pa ta, nuk do ta dalloja dot dritën.”
Pesë vite pas ndarjes nga jeta të Maradonës, Pucone kujton me emocione të forta 25 nëntorin 2020: “Sapo kisha dalë nga spitali kur dëgjova në televizor lajmin. Nuk mund ta besoja. Qava si fëmijë. Për mua, Diego ishte si një vëlla.”
Miqësia e tyre nisi që te të rinjtë e Napolit. Pucone debutoi në vitin 1982, ndërsa ardhja e Maradonës dy vite më vonë e ndryshoi përgjithmonë atmosferën në klub. “Ai më thërriste Pedro. Në fushë ishte gjeni, jashtë saj një zotëri. Ndeshja e bamirësisë në Acerra është shembulli më i mirë.”
Ishte vetë Pucone që organizoi atë ndeshje të famshme, për të mbledhur fondet për operimin e një djali të vogël. Shiu, balta dhe fusha e ashpër nuk e ndaluan Maradonën, i cili shënoi dy gola spektakolarë. “Ai madje më dha shiritin e kapitenit,” – tregon Pucone.
Pucone tregon edhe episodet e paharrueshme të jetës jashtë fushës. Një herë, gjatë një dite pushimi, të dy morën Ferrarin e Maradonës dhe udhëtuan drejt Romës. “Po ngisnim me shpejtësi kur pashë policinë pas nesh. Mendova se do të na gjobitnin. Por jo, ata donin vetëm një foto me Diegon.”
Në një rast tjetër, pas një udhëtimi pune, të dy mbetën pa para për karburant. Ndërkohë, në një udhëtim drejt SHBA për dasmën e Maradonës, u hasën me një problem absurd: pasaporta e Diegos kishte skaduar. “Menaxheri i tij arriti të kontaktonte një anëtar të stafit të presidentit Ronald Regan. Me Diegon, shumë gjëra të pamundura bëheshin të mundura.”
Pavarësisht viteve të rrëmujshme, lidhja mes tyre nuk u shkëput kurrë. Edhe kur jeta e Pucones mori një kthesë të errët, Maradona e njihte gjendjen e tij.
“Para se të ndaheshim, ai më tha një fjali që më vjen ndër mend çdo ditë: ‘Pietro, duhet të shpëtosh veten.’ Ato fjalë më ndihmuan shumë. Edhe sot, e ndjej se nga atje lart nuk më ka braktisur.”
Sot, Pucone jeton më i qetë dhe më i qendrueshëm, falë mbështetjes së familjes dhe miqve. “Jeta më dha mësime shumë të forta. Kam bërë gabime, por kam arritur të ngrihem sërish.”
Lini një Përgjigje