
Dopieta me Kombëtaren “tërbon” Rei Manajn, me “bomberin” kuqezi që rikthehet në Turqi duke dhuruar spektakël. Manaj ishte protagonist absolut në fitoren me “manita” 5-1 që ekipi i tij Sivaspor arriti kundër Adanas. Sulmuesi kuqezi ishte i papërmbajtshëm, teksa realizoi një “dopietë” golash dhe dhuroi 2 asist.
Jo vetëm kaq, por Manajt i mjaftuan vetëm 5 minuta për të shënuar këtë dygolësh duke bërë që stadiumi të shpërthente në festë. Në minutën e 13, Manaj u vertikalizua bukur në qendër, me një koordinim perfekt uli topin me gjoks, për të kaluar më pas edhe portierin.

Pesë minuta më vonë, thuajse në të njëjtën formë, Manaj gjeti edhe golin e dytë. Falë kësaj dopiete, Manaj ngjitet në kuotën e 10 golave këtë sezon në Turqi.
Sulmuesi kuqezi ishte protagonist edhe në pjesën e mbetur të këtij takimi teksa dhuroi edhe një assit në golin e katërt të Sivasspor. Vendasit triumfuan me rezultatin 5-1 duke siguruar një trepikësh të artë në garën e tyre për të mbijetuar në elitë.
Lini një Përgjigje