Skuadrat shqiptare kanë mësuar kundërshtarët e mundshëm në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, nëse arrijnë të sigurojnë kalimin nga ndeshjet e raundit të parë.
Shorti i hedhur nga UEFA nuk rezultoi i favorshëm për disa prej përfaqësueseve shqiptare. Vllaznia, në rast se eliminon Malishevën e Kosovës në turin e parë, do të përballet me skuadrën skoceze Hibernian FC në raundin e dytë.
Një sfidë po aq e vështirë e pret edhe AF Elbasanin. Verdheblutë, nëse arrijnë të kalojnë BATE Borisov, do të kenë përballë ekipin zviceran FC Sion.
Ndërkohë, Dinamo Siti, në rast se eliminon Astanën, do të ndeshet me fituesin e çiftit FC Sherif (Moldavi) – NK Aluminij (Slloveni) në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.
Situata e Egnatias paraqitet disi ndryshe. Kampionët e Shqipërisë do të përballen fillimisht me Petrokubin në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampioneve. Nëse arrijnë të kalojnë skuadrën moldave, do të vazhdojnë rrugëtimin në Champions League. Në rast eliminimi, Egnatia do të zbresë në Ligës së Konferencës, ku në turin e dytë do të përballet me humbësin e çiftit FK Borac Banja Luka – Levski Sofia.
Skuadrat e Abissnet Superiore mësuan fillimisht kundërshtarët e turit të parë të Ligës së Konferencës, ndërsa më pas u njohën edhe me skenarët e mundshëm për raundin e dytë, në varësi të rezultateve të ndeshjeve të para.
Ndeshjet e raundit të dytë kualifikues të UEFA Ligës së Konferencës janë planifikuar të zhvillohen më 23 dhe 30 korrik.
Shorti i raundit të dytë të Ligës së Konferencës:
Humbësi i Borak – Levski Sofia vs Humbësi i Petrokub – Egnatia
Fituesi i Sherif Tiraspol – Alumini vs Fituesi i Dinamo – Astana
Fituesi i Elbasani – Bate Borisov vs Sion
Fituesi i Vllaznia – Malisheva vs Hibernian(Skoci)
Humbësi i Floriana – Shamrok vs Humbësi i Kauno Zalgiris – Drita
Lugano – Dukagjini
Fituesi i Ballkani – Konah’s Kuai Nomads vs Fituesi i Bohemian – St. Joseph’s
NK Bravo vs Fituesi i Europa – Shkëndija
Fituesi i Deçiç – Liepaja vs Austria Vien
Lini një Përgjigje