
Kombëtarja shqiptare e futbollit ka reaguar menjëherë pas humbjes ndaj Polonisë, duke iu rikthyer stërvitjes pa humbur kohë, me synimin për të lënë pas zhgënjimin e pësuar në gjysmëfinalen e “playoff”-it për Botërorin 2026.
Nën drejtimin e trajnerit Silvinjo dhe stafit teknik, kuqezinjtë kanë zhvilluar seancën e radhës stërvitore në prag të udhëtimit drejt Valencias. Seanca është organizuar në dy grupe: futbollistët që u aktivizuan në ndeshjen ndaj Polonisë janë përqendruar te rikuperimi fizik dhe ushtrimet në palestër, ndërsa lojtarët e stolit dhe ata me minuta të kufizuara kanë zhvilluar një stërvitje të plotë në fushë.
Skuadra kombëtare pritet të mbyllë këtë fushatë kualifikuese të Botërorit 2026 mbrëmjen e së martës, më 31 mars, në orën 20:45, me përballjen ndaj Ukrainës. Ndeshja do të zhvillohet në Valencia dhe konsiderohet si sfida e fundit për kuqezinjtë në këtë cikël eliminator.
Lini një Përgjigje