Ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili është një prej të pandehurve kryesorë të SPAK në atë që njihet si dosja Partizani, është pyetur sot lidhur me dëshminë e dhënë në këtë process nga ish-ministri Ylli Pango. Ky i fundit tha në sallën e gjyqit se privatizimet ishin një prej prioriteteve të qeverisë së PD-së dhe përbënin programin elektoral të saj. Berisha e cilësoi deklaratën e Pangos si një të vërtetë absolute.
“Kam pasur një program elektoral, në të cilin u kam premtuar shqiptarëve privatizim, privatizim, privatizim.
Dhe ajo ka qenë mbajtje e fjalës. Nuk ndaja fjalën nga vepra. Kisha premtuar privatizimin e objekteve të privatizueshme dhe kam proceduar me shpejtësinë më të madhe.
Ju duhet ta dini, t'ju jap një shifër, qeveria e Partisë Demokratike ka privatizuar në një vit sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar 104 mijë objekte dhe sipërmarrje të vogla e të mesme.
Pra, privatizimi është një parim themelor i asaj partie, i atij spektri politik që unë i përkas.
E përshëndes dëshminë e zotit Pango, i cili ka mbrojtur aty programin e qeverisë në të cilën ka bërë pjesë.
Akuzohet tjetri se ka marrë 410 metra katrorë tokë të gjyshes dhe gjyshit të vet, ndër të cilët edhe të pushkatuar nga regjimi, me të gjithë dokumentet. Me të gjithë dokumentat!
Dhe që faktohet se ato kanë qenë edhe në '37-ën prona e tyre. Dhe nuk akuzohet këta që zhdukën qeveritarët 130 milionë euro në djegësin e Tiranës.
A nuk janë këta prokurorë, apo këta mjeranë të qeverisë më të korruptuar në Europë dhe në botë?”, tha Berisha.
Kreu demokrat u pyet gjithashtu për thirrjen në GJKKO si dëshmitar të ish-zv.Kryeministrit Gazment Oketa, për të cilin tha se e përshëndeste dhe e ftonte të thotë gjithçka din rreth atij problemi.
“Ajo është procedura më transparente, më ligjore, në të cilën armiqtë e saj ligjorë nuk kanë gjetur dot asnjë shkelje ligjore”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje