
Këtë të mërkurë, në orën 19:00, në stadiumin “Elbasan Arena” do të zhvillohet gjysmëfinalja e kthimit mes AF Elbasanit dhe Egnatias, një duel që pritet të vendosë ekipin finalist. Ndeshja e parë mes dy skuadrave u mbyll në barazim 1-1, duke lënë gjithçka të hapur për takimin e dytë.
Në prag të kësaj përballjeje, trajneri i AF Elbasanit, Ivan Gvozdenovic, u shpreh se skuadra e tij synon kualifikimin, por pa nënvlerësuar kundërshtarin.
"E kam thënë edhe pas ndeshjes së parë në Rrogozhinë që gjithçka do të vendoset në takimin e kthimit. Erdhi kjo ditë dhe padyshim do të jetë një tjetër ndeshje e hapur. Presim një përballje shumë të fortë dhe të bukur, sepse Egnatia është një skuadër me shumë cilësi. Përballjet tona kanë qenë gjithmonë me gola dhe interesante, teksa edhe këtë herë presim të njëjtën gjë. Në fund, ai që do të paraqitet më mirë do të shkojë në finale”, u shpreh trajneri i Elbasanit.
Gvozdenovic foli edhe për skenarët e mundshëm të ndeshjes, duke mos përjashtuar shtesat apo penalltitë.
"Duhet t’i mendosh të gjitha. Mund të shkojmë në shtesa apo edhe në penallti. E rëndësishme është që ne jemi gati, djemtë janë optimistë dhe detajet e fundit do t’i vendosim në stërvitjen përfundimtare. Duam finalen”, shtoi ai.
Ndërkohë, gjysmëfinalja tjetër do të luhet të enjten në orën 19:00 në stadiumin “Loro Boriçi”, ku Vllaznia do të përballet me Dinamon. Edhe kjo sfidë mbetet e hapur, pasi ndeshja e parë është mbyllur në barazim 1-1.
Lini një Përgjigje