TAGS-AT E JAVËS

Sport15 Qershor 2026, 22:55

Spanja në furtunë kritikash pas turpit me Kepin e Gjelbër, Rodri: Nuk duhej të kishte ndodhur

Shkruar nga Pamfleti
Spanja në furtunë kritikash pas turpit me Kepin e Gjelbër, Rodri:
Rodri

Spanja po përballet me një valë kritikash pas barazimit surprizues 0-0 ndaj Kepit të Gjelbër në ndeshjen e parë të Grupit H, një rezultat që shumë analistë dhe media sportive po e konsiderojnë si befasinë më të madhe të deritanishme të Botërorit.

“Furia e Kuqe”, e cila mbërriti në turne si një nga favoritët për trofeun pas triumfit në Europian, dominoi thuajse gjatë gjithë takimit, por nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës përballë debutuesve afrikanë. Përballja ka hapur debate të shumta në Spanjë, ku kritikat janë përqendruar te mungesa e efikasitetit dhe paaftësia për të thyer mbrojtjen e organizuar të kundërshtarit.

Pas ndeshjes ka reaguar edhe një nga liderët e kombëtares spanjolle, Rodri, i cili pranoi hapur zhgënjimin për rezultatin.

“Nuk duhej të kishte ndodhur kështu. E dinim se do të na duhej durim, por thjesht nuk arritëm të shënojmë. Të luash kundër një skuadre kaq fizike dhe të organizuar në mbrojtje është gjithmonë e vështirë”, deklaroi mesfushori për FIFA-n.

Megjithatë, Rodri shmangu dramatizimin e situatës dhe vlerësoi paraqitjen e Kepit të Gjelbër, i cili rezistoi për 90 minuta përballë një prej skuadrave më të forta të turneut.

“Kepi i Gjelbër nuk krijoi shumë raste, por ne duhet të ishim më efikasë. Kur përballesh me skuadra të tilla, duhet të shfrytëzosh rastet që krijon”, shtoi ai.

Barazimi ka komplikuar menjëherë llogaritë e Spanjës në grup, ndërsa presioni mbi trajnerin Luis de la Fuente dhe futbollistët është rritur ndjeshëm. Mediat spanjolle e kanë cilësuar rezultatin si një alarm të fortë për ambiciet e skuadrës, ndërsa tifozët kërkojnë reagim të menjëhershëm në ndeshjet e ardhshme.

Nga ana tjetër, për Kepin e Gjelbër kjo mbetet një mbrëmje historike. Skuadra afrikane jo vetëm që mori pikën e parë në një Botëror, por arriti ta bëjë këtë përballë kampionëve në fuqi të Europës, duke shkruar një nga kapitujt më të rëndësishëm në historinë e futbollit të vendit.

Lini një Përgjigje