
Ish-mesfushori i Arsenalit, Tomas Parti, është akuzuar për dy raste të tjera përdhunimi, ndërkohë që ndodhet në proces gjyqësor për akuza të mëparshme të ngjashme, të cilat i ka mohuar.
Sipas Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës (Crown Prosecution Service), akuzat e reja lidhen me një grua tjetër dhe janë ngritur pas një hetimi të ri nga Policia Metropolitane e Londrës. Një zëdhënës i institucionit bëri të ditur se pretendimet e fundit janë raportuar fillimisht në gusht të vitit 2025.
Futbollisti 32-vjeçar nga Gana pritet të paraqitet në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster më 13 mars.
Në shtator të vitit të kaluar, Parti u deklarua i pafajshëm për pesë akuza për përdhunim dhe një për sulm seksual. Sipas prokurorisë, ngjarjet për të cilat ai akuzohet dyshohet të kenë ndodhur gjatë viteve 2021–2022.
Kontrata e tij me klubin anglez Arsenal përfundoi më 30 qershor të vitit të kaluar dhe nuk u rinovua, çka e la lojtarin si futbollist të lirë. Më pas, ai firmosi me klubin spanjoll të La Liga-s, Villarreal.
Procesi gjyqësor ndaj tij është në vijim dhe ende nuk ka një vendim përfundimtar nga gjykata.
Lini një Përgjigje