
Milani po kalon periudhën më të vështirë këtë sezon. Eliminimi nga Champions ka krijuar një situatë të nderë te kuqezinjtë, ku shumica e lojtarëve duket sikur nuk kanë fare motivim në fushë.
Në sfidën e vlefshme për javën e 26 në Serinë A, kuqezinjtë u mundën 2-1 në Torino. Vendasit kaluan në avantazh që në minutën e pestë. Një keqkuptim mes Menjo dhr Çau, bëri që topi të përfundonte në rrjetë.
Në minutën e 30, kuqezinjtë fituan penallti pas prekjes së topit me dorë brenda zonës nga ana e lojtarit të Torinos, por Kristian Pulisiç gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.
Amerikani njihet për saktësinë nga pika e bardhë, sot ishte penalltia e parë e humbur në karrierën e tij, ku 12 penalltitë e tjera i ka ekzektuar saktë. Pjesa e parë u mbyll 1-0 në favor të Torinos.
Milan barazoi shifrat me Tixhani Rejnders në minutën e 74, holandezi përfitoi nga një top i kthyer nga kundërshtari brenda zonës dhe e dërgoi atë në rrjetë.
Gëzimi i kuqezinjve zgjati shumë pak, Torino shënoi golin dytë në minutën e 76, ku Gvidas Gineitis përfitoi nga një përgjumje e mbrojtjes së Milanit pas një faulli dhe dërgoi topin në rrjetë. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.
Lini një Përgjigje