Gazetari kritikoi përdorimin e fondeve publike dhe kërkoi që prioritet të jenë shëndetësia, arsimi dhe shtresat në nevojë.
Gazetari Osman Stafa teksa po fliste në protestën para Kryeministrisë, ngriti akuza për mënyrën e përdorimit të fondeve publike.
Ai e krahasoi financimin e koncertit të reperit Kanye West me situatën në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", ku tha se spitali po kërkon donacione për të siguruar pajisje mjekësore.
Sipas Stafës, fondet publike po përdoren për aktivitete private, ndërsa institucionet shëndetësore përballen me mungesa të pajisjeve bazë.
"Shteti shqiptar jep 4 miliardë lekë për një koncert të një këngëtari dhe sot QSUT kërkon donacione për pajisje shëndetësore! Paratë tona i çojnë për koncertin e një këngëtari të huaj! Shëndetësia nuk duhet të ketë politikë sepse bëhet fjalë për jetën, për kurimin e njerëzve! Por të arrish në një vend ku QSUT kërkon pajisje shëndetësore dhe gjëra elementare, kërkojnë donacione nga ju sepse shteti ynë nuk ka para, sepse 4 miliardë lekë i jepen një koncerti privat.
Le të bëhen koncertet private, por jo me paratë tona! Paratë tona duhen aty ku kanë nevojë njerëzit! Te shëndetësia, te arsimi, te nënat me fëmijë jetimë, te pensionistët, te njerëzit e paralizuar! Kjo që po ndodh në Shqipëri këto ditë në protestë është histori. Do flasë historia për këto ditë proteste që ju jeni ngritur e po luftoni për të ardhmen tuaj, për dinjitetin tuaj, familjet tuaja", u shpreh Stafa gjatë fjalës së tij në protestë.

Aktivisti Ilir Xhemalaj i bëri thirrje intelektualëve nga protesta e 44-t që të bashkohen me qytetarët në shesh kundër qeverisë Rama. Ai gjithashtu falenderoi edhe këngëtaren Dua Lipa për deklaratat e saj në podkastin me Lea Ypin, në mbështetje të kauzës së protestës.
“Ne këtu në këtë shesh kemi një familje e madhe, dhe kemi ndasitë tona mendjet tona. Këtu na ka bashkuar ky shesh dhe qëllimi jonë për rrëzimin e qeverisë sistemit dhe Edi Ramës.
Sot dua të bëj thirrje intelektualëve të tejkalojnë frikën të dalin nga zona e komfortit dhe të vijnë në shesh dhe të mundin frikën dhe të marrim fatet e vendit në dorë. Kisha një falënderim për Dua Lipën që zgjidhi të rreshtohej krah sheshit këtu dhe të ngrenë zërin kundër padrejtësive. I bëj thirrje artistëve të ngrenë zërin dhe të dalin në shesh. Do jemi këtu deri në realizimin e 5 pikave së pari rrëzimin e qeverisë Rama”, tha ai.
Fjalimet para Kryeministrisë kanë vijuar me tone të forta edhe nga përfaqësuesit e rinisë. Një prej tyre, Erion Murataj, iu drejtua mijëra protestuesve të mbledhur në ditën e 44-t të revoltës qytetare, duke deklaruar se protesta kërkon përgjegjësi për të gjithë klasën politike.
Në fjalën e tij, Murataj tha se slogani që përfaqëson lëvizjen është ndëshkimi i dy figurave kryesore të politikës shqiptare.
“Himni ynë është: Rama në burg, Berisha në burg!”, u shpreh ai mes brohoritjeve të protestuesve.
Më tej, Murataj bëri edhe një deklaratë lidhur me zhvillimet në Shtetet e Bashkuara, duke pretenduar se në Kongresin Amerikan ka nisur një procedurë për hetimin e qeverisë shqiptare.
“Të dashur motra e vëllezër, unë quhem Erion Murataj. Kam disa lajme për të dhënë. E para është se këta janë ndrydhur keq. E dyta është se një orë më parë, në Kongresin Amerikan, një kërkesë e kongresmenëve për hetim të qeverisë shqiptare dhe Edi Ramës është sekretuar për hetim të narkotrafikut ndërkombëtar!”, deklaroi ai.
Në vijim të fjalës, Murataj reagoi edhe ndaj etiketimeve që, sipas protestuesve, u janë bërë gjatë javëve të fundit.
“Ka shumë ditë që na kanë quajtur agjentë serbë, grekë, na kanë quajtur rusë, po pres të na quajnë afrikanë. Ky shesh sot, kur kanë kaluar më shumë se një muaj, përfaqëson lirinë dhe demokracinë. Dhe e dini pse? Sepse Rama në zyrë në Kryeministri dhe Sali Berisha atje, janë për të vrarë demokracinë dhe lirinë, ndërsa ne jemi këtu që të rrojë Shqipëria!”, tha ai.
Protesta para Kryeministrisë vijon me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, ndryshimin e sistemit politik dhe mbajtjen e përgjegjësisë për drejtuesit e klasës politike.

Një i ri që mori pjesë në protestën e 44-të para Kryeministrisë ka kritikuar qeverinë për mënyrën e përdorimit të fondeve publike, duke iu referuar shumës prej 4.2 milionë eurosh të shpenzuara për organizimin e koncertit të Kanye West.
Ai theksoi se ndërkohë që vendi përballet me zjarre gjatë sezonit veror, mungojnë investimet në pajisje dhe kapacitete për përballimin e emergjencave. Protestuesi akuzoi qeverinë se reagon ndaj kritikave duke sulmuar protestuesit.
“Rama dhe ‘gonxhet’ e tij thanë se nga këta 30 mijë njerëz do të gjeneroheshin miliona euro. Ne ia dolëm, koncertin e bëmë. 4.2 mld të shqiptarëve i dhamë për biletat për patronazhistët. Tani në këtë sezon zjarresh, nuk kemi një avion për shuarje zjarresh. A do të ndjejë turp Rama që 4.2 mln eurot nuk shkojnë për shqiptarët?! Ne nuk kemi as ata qentë e kërkimeve kur bien tërmetet. Gjëja e parë që bëjnë ata të qeverisë është që të përbuzin se po i shqetësojmë se po vjedhin. Rama dhe gonxhet e tij tha se nga këta 30 mijë njerëz do të gjeneronin mln euro”, tha ai.
Protesta e 44 kombëtare kundër qeverisë ka mbërritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku kanë nisur fjalimet e para para godinës së Kryeministrisë.
Një nga folësit e parë ishte aktivisti Andi Tepelena, i cili tha se pas 44 ditësh protestë ka lindur një shpresë e re për të përmbushur, sipas tij, misionin e nisur në vitin 1991.
Ai u shpreh se rinia, si ajo që jeton në Shqipëri ashtu edhe diaspora, është forca që do të sjellë ndryshimin dhe do t'i japë fund sistemit aktual.
“Ka një muaj që ka lindur një shpresë e madhe. Qytetarët dhe rinia janë ngritur për ta shporrur këtë regjim, aty ku e lamë në vitin 1991. Janë këta të rinj që jetojnë këtu dhe në diasporë, që mezi presin të çlirohen nga ky sistem korruptiv, të rrëzohet kjo kastë korruptive që po mban peng zhvillimin e vendit”, deklaroi Tepelena.
Sipas tij, Shqipëria ka potencial të madh njerëzor, por ky potencial nuk po shfrytëzohet.
“Shqipëria është e mbushur me talente, me njerëz të talentuar në çdo fushë dhe janë ata që do të marrin fatet e vendit në dorë”, u shpreh aktivisti.
Në fund të fjalës së tij, Tepelena iu referua edhe reagimeve të faktorit ndërkombëtar, duke përmendur Gjermaninë.
“Sot Gjermania është në krah të shqiptarëve. Për herë të dytë ambasadori gjerman në Shqipëri ka riafirmuar rëndësinë e protestës si e drejtë demokratike”, deklaroi ai para protestuesve të mbledhur para Kryeministrisë.

Një protestues nga tubimi i 44-të para Kryeministrisë u bëri thirrje qytetarëve që të mos largohen me pushime këtë verë, por t’i bashkohen protestës.
Ai u shpreh se për 44 ditë qytetarët kanë përcjellë mesazhin se kërkojnë më shumë drejtësi, punë dhe një të ardhme më të mirë në vend. Gjithashtu theksoi se qëllimi i protestës, sipas tij, është krijimi i kushteve që shqiptarët të mos detyrohen të largohen nga vendi.
“Për 44 ditë ju i keni thënë kësaj qeverise se nuk doni vjedhje, doni paqe dhe më shumë punë. Mbi të gjitha për 44 ditë, ky sheshi ka treguar se i do vëllezërit dhe familjarët e tyre në Shqipëri. Ne nuk duam që të largohemi. Duam që të ndërtojmë të ardhmen tonë në Shqipëri. Jemi këtu për një Shqipëri të re. Për shqiptarët këtë vit nuk do të ketë pushime. Pushimet do të bëhen në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Ndaj do të bëni pushime pjesën tjetër të jetës, por këtë vit, ju bëj thirrje; bojkotoni pushimet!”, tha ai.

Ditën e sotme po zhvillohet protesta e 44-të kundër qeverisë. Një shqiptar që jeton prej vitesh në Greqi është bërë pjesë e protestës së 44-të që po zhvillohet në Tiranë, duke shprehur pakënaqësinë e tij ndaj klasës politike.
Ai tha se kishte ardhur për të qenë pjesë e protestës dhe u shpreh kundër kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës, Sali Berisha.
“Unë jam prej vitesh në Greqi. Unë jam poliagjent i Edi Ramës. Na kanë mbytur. Do të protestojmë kundër Ramës dhe Berishës. Ata e kanë të fshehtë marrëveshjen”, u shpreh ai.
Ndërsa protesta po hyn në muajin e dytë, beteja kundër Edi Ramës pritet të marrë një dimension ndërkombëtar. Burime të ndryshme flasin për një fushatë që mund të nisë në SHBA dhe të ndërthuret me presionin europian për të prodhuar një zgjidhje të re politike në Shqipëri...
Edi Rama nuk do të ishte aspak i shqetësuar për “Revolucionin Flamingo”, nëse do të kishte përballë vetëm aktorët që shohim çdo ditë në shesh.
As mbështetësit e tyre.
Edhe pse ata janë të shumtë dhe përfaqësojnë një masë të madhe qytetarësh të pakënaqur.
Në një sondazh të publikuar nga një media pranë qeverisë, rreth 40 për qind e të pyeturve deklarojnë se do të votonin një parti të re, ndërsa rreth 50 për qind shprehen se do të votonin partitë tradicionale, ku Partia Socialiste nuk kalon pragun e 34 për qindëve.
Sipas burimeve pranë mazhorancës, sondazhet e brendshme që zhvillon Edi Rama paraqesin një situatë edhe më problematike.
Pikërisht për këtë arsye ai po përpiqet të mbajë sa më larg konsolidimin e faktorëve të rinj politikë, duke përdorur strategjinë e njohur “Divide et Impera”.
Mankthi më i madh i Edi Ramës është bindja se largimi i tij po përgatitet jashtë Shqipërisë dhe se pas këtij procesi qëndrojnë aktorë shumë më të fuqishëm sesa ata që shihen në protestë.
Duke filluar nga disa prej vendeve kryesore të Bashkimit Europian e deri te lobet me ndikim në Shtetet e Bashkuara.
Dalja publike e Dua Lipës, duke kërkuar largimin e Edi Ramës, përbën vetëm fillimin e një vale më të madhe që pritet të vijë muajin e ardhshëm nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas burimeve, emra të njohur të Hollywood-it dhe të botës së showbiz-it pritet të angazhohen në një fushatë të gjerë kundër projektit të investimit në Zvërnec dhe Sazan.
Kjo fushatë, sipas të gjitha gjasave, nuk do të fokusohet vetëm te Shqipëria.
Objektivi kryesor pritet të jetë familja Trump dhe kampi republikan, duke përdorur rastin shqiptar dhe marrëveshjen me Edi Ramën si shembull në debatin politik amerikan.
Deri në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, kjo betejë pritet të marrë një dimension edhe më të madh.
Në atë fazë, sipas këtij interpretimi, pritet të përfshihen figura të rëndësishme të Partisë Demokratike amerikane, të cilat do ta përdorin çështjen shqiptare si pjesë të përplasjes së tyre me familjen Trump.
Nëse një skenar i tillë realizohet, ai mund të kthehet në sfidën më të madhe ndërkombëtare me të cilën është përballur ndonjëherë Edi Rama.
Sipas këtij këndvështrimi, ai jo vetëm që do ta ketë të vështirë të mbrohet, por mund të dalë politikisht i dëmtuar rëndë.
Vizitat e shpeshta në Paris dhe afrimi me Emmanuel Macron shihen si përpjekje për të zbutur këtë situatë.
Megjithatë, burime pranë mazhorancës bëjnë të ditur se klima është shumë më e rëndë nga sa duket publikisht.
Vetë Edi Rama, sipas tyre, është i bindur se Europa po ndjek një strategji të mirëkoordinuar ndaj tij.
Një lojë ku Emmanuel Macron ofron “karrotën”, ndërsa Friedrich Merz përdor “shkopin”.
Një kombinim presioni dhe dialogu, që synon ta dobësojë politikisht deri në pikën e largimit.
Sipas të njëjtave burime, pikërisht në momentin kur ky proces të arrijë kulmin, nga Europa pritet të dalin edhe propozimet për menaxhimin e krizës politike shqiptare.
Në diskutim përmendet mundësia e një qeverie të re të drejtuar nga Partia Socialiste, por me një figurë që shihet si më pranë frymës së protestës.
Deri tani emri që qarkullon më fort eshte Ditmir Bushati.
Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që të dalin edhe kandidatura të tjera me profil të ngjashëm.
Sipas këtij skenari, një qeveri e tillë do të vijonte mandatin deri në vitin 2029, por mbi bazën e një pakete reformash të thella politike dhe institucionale./Pamfleti

Qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur sërish para godinës së qeverisë, duke përsëritur se do të vijojnë protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Ka nisur mbrëmjen e kësaj të hëne protesta e 44-të para godinës së Kryeministrisë, ku dhjetëra qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe banorë të zonave të prekura janë mbledhur për të kërkuar largimin e Edi Ramës.
Ashtu si në protestat e mëparshme, pjesëmarrësit janë mbledhur në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", përballë godinës së Kryeministrisë, duke mbajtur pankarta dhe duke bërë thirrje për ndryshim politik.
Në tubim dëgjohen të njëjtat thirrje që prej ditës së parë: “Rama në burg, Berisha në burg”, “Rama jep dorëheqjen” dhe “Shqipëri e Re”.
Një emigrant shqiptar, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Greqi, i është bashkuar protestës së 44-t që po zhvillohet para Kryeministrisë në Tiranë, duke shprehur pakënaqësinë e tij ndaj klasës politike në vend.
Në një prononcim për mediat nga sheshi i protestës, ai deklaroi se kishte ardhur enkas për të marrë pjesë në tubim dhe adresoi kritika si ndaj kryeministrit Edi Rama, ashtu edhe ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
"Unë jam prej vitesh në Greqi. Unë jam poliagjent i Edi Ramës. Na kanë mbytur. Do të protestojmë kundër Ramës dhe Berishës. Ata e kanë të fshehtë marrëveshjen", u shpreh ai.
Në protestë është e pranishme edhe eurodeputetja franceze Emma Fourreau, e cila ndodhet në Tiranë. Gjatë ditës, ajo zhvilloi një takim me deputeten e pavarur Marjana Koçeku, ku diskutuan mbi çështje që lidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimin qytetar.
Protesta pritet të vijojë në orët në vijim, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se do të mbajnë fjalime dhe do të paraqesin publikisht qëndrimet e tyre.
Protesta e kësaj mbrëmjeje shënon tubimin e 44-t radhazi para Kryeministrisë, duke konfirmuar vendosmërinë e protestuesve për të vijuar mobilizimin dhe për të mbajtur të hapur presionin ndaj institucioneve.
Edhe mbrëmjen e djeshme, si në 43 ditët e tjera, pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit marshuan në rrugët e Tiranës, kaluan përmes zonës së ish-bllokut, për të dalë më pas te sheshi “Nënë Tereza”, nga ku iu drejtuan sërish Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe ndërtesës qeveritare.
Eurodeputetja franceze dhe aktivistja për mbrojtjen e mjedisit dhe çështjet sociale, Emma Fourreau ka ardhur në Tiranë, ku ka shprehur mbështetjen e saj për protestën që po zhvillohet në kryeqytet.
Fourreau është takuar me deputeten e pavarur Marjana Koçeku, e cila u largua nga Partia Socialiste pas nisjes së protestave kundër qeverisë.
Lajmin e bëri të ditur vetë Koçeku përmes një postimi në rrjetet sociale, ku publikoi edhe detaje nga biseda me eurodeputeten franceze.
Sipas saj, në qendër të takimit ishin mbrojtja e mjedisit, si dhe rëndësia e angazhimit qytetar dhe politik për ruajtjen e natyrës.
"Natyra nuk njeh parti. Natyra nuk negocion me vendime të gabuara. Ajo ose mbrohet ose humbet", shkroi Koçeku në reagimin e saj.
Deputetja theksoi se mbrojtja e mjedisit nuk duhet parë si pengesë për zhvillimin ekonomik, por si një tregues i përgjegjësisë së institucioneve ndaj qytetarëve dhe standardeve europiane.
"Mbrojtja e natyrës nuk është pengesë për zhvillimin. Është prova më e madhe e përgjegjësisë së një shteti ndaj qytetarëve të vet dhe ndaj Europës që synon t'i bashkohet politikisht", u shpreh ajo.
"Me eurodeputeten franceze dhe aktivisten për mbrojtjen e mjedisit dhe çështjeve sociale, Emma Fourreau, e cila erdhi në Tiranë për me e mbështetë protestën. Folëm për çështjen e mjedisit dhe për randësinë e angazhimit qytetar dhe politik në mbrojtje të natyrës. Mjedisi nuk njeh parti. Natyra nuk negocion me vendime të gabueme. Ajo ose mbrohet ose humbet. Mbrojtja e natyrës nuk asht pengesë për zhvillimin. Asht prova ma e madhe e përgjegjësisë së nji shteti ndaj qytetarëve të vet dhe ndaj Europës që synon me iu bashku politikisht."-shkruan Koçeku.
Lini një Përgjigje