
Sulmuesi 22-vjeçar shqiptar, Kleis Bozhanaj, është kthyer në një nga protagonistët kryesorë të javëve të fundit në Grupin B të Serisë C në Itali. Futbollisti shqiptar po shënon në mënyrë të rregullt dhe këto gola të tij kanë ndihmuar skuadrën e Karrarezes që të sigurojë një vend në play-off për ngjitjen në Serinë B.
Bozhanaj, ka shënuar në të tre ndeshjet e fundit me klubin e tij, duke e ndihmuar që të sigurojë 1 fitore dhe 2 barazime, të cilat mjaftuan për sigurinë matematikore që skuadra të sigurojë play-off në mbyllje të edicionit. Goli i tretë radhazi, i katërti për këtë sezon, erdhi në ndeshjen e sotme ndaj Torres në transfertë.
Rrotullim në mesfushë, shmangie e kundërshtarit dhe pastaj një predhë nga distanca e sulmuesit, i cili mposhti portierin kundërshtar dhe gjeti golin e barazimit në minutën e 38, me të cilin do të mbyllej e gjithë ndeshja.
Kështu, Bozhanaj rivalizon me emra si Merkaj, Shpendi e Kabashi, të cilët janë gjithashtu pretendentë për ngjitjen në Serinë B dhe me golat e tyre po ndihmojnë ekipet përkatëse drejt këtij objektivi në të njëjtin grup.
Lini një Përgjigje