
Ylber Ramadani ka munguar në stërvitjen e sotme të skuadrës së Leçes, pasi është detyruar që të udhëtojë drejt Londrës për të zgjidhur disa probleme me dokumentacionin e tij.
Mediat italiane kanë bërë të ditur se futbollisti duhej të shkonte në Londër, për t’u pajisur që atje me lejekalimin dhe me disa procedura burokratike që kanë të bëjnë me vizën hyrëse dhe lejen e punës në Itali. Mesfushori shqiptar është ekstrakomunitar dhe si i tillë, duhen plotësuar disa procedura për qendrimin e tij afatgjatë në Itali për të ushtruar profesionin.
Megjithatë, nga klubi kanë bërë të ditur se Ramadani do të jetë që sot në darkë përsëri në Itali, pasi të ketë mbyllur çështjet burokratike dhe do të vihet në dispozicion të trajnerit D’Aversa. Ky i fundit e llogarit mes titullarëve për ndeshjen e parë zyrtare të sezonit, atë të Kupës së Italisë që Leçe luan ndaj Komos këtë të diel.
Lini një Përgjigje