TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Korrik 2026, 19:28

"Satani i Madh" e shkeli marrëveshjen, Khamenei sulmon SHBA-në: Firma e Trump nuk vlen më

Shkruar nga Pamfleti
"Satani i Madh" e shkeli marrëveshjen, Khamenei sulmon
Khamenei

Udhëheqësi suprem i Iranit akuzon SHBA-në për shkeljen e armëpushimit dhe kërcënon me "mësime të paharrueshme", ndërsa mungesa e tij nga skena publike ushqen spekulimet nëse është ende gjallë.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka reaguar për herë të parë që nga rifillimi i luftimeve me Shtetet e Bashkuara, duke akuzuar Uashingtonin se ka shkelur në mënyrë të përsëritur memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar mes dy vendeve. Megjithatë, deklarata është publikuar vetëm me shkrim, duke shtuar edhe më shumë dyshimet mbi gjendjen dhe fatin e tij.

Në një mesazh të publikuar në platformën X, Khamenei e cilësoi SHBA-në si "Satanai i Madh" dhe deklaroi se shkeljet e vazhdueshme të marrëveshjes tregojnë se "firma e presidentit amerikan nuk ka asnjë vlerë dhe asnjë besueshmëri".

"Shkeljet e përsëritura të memorandumit të mirëkuptimit nga Satani i Madh kanë provuar edhe një herë se firma e presidentit të SHBA-së është krejtësisht e pavlerë dhe e pabesueshme", thuhet në deklaratë.

Ai akuzoi gjithashtu Uashingtonin për "presion, ambicie hegjemoniste dhe brutalitet", duke paralajmëruar se populli iranian dhe "Boshti i Rezistencës" kanë rezervuar "mësime të paharrueshme" për Shtetet e Bashkuara nëse konflikti përshkallëzohet.

Deklarata vjen vetëm pak orë pasi Teherani njoftoi pezullimin e angazhimeve të tij në kuadër të marrëveshjes së përkohshme me SHBA-në, ndërsa përplasjet mes dy vendeve janë rikthyer me intensitet. Gjatë ditëve të fundit, forcat amerikane kanë kryer sulme të reja ndaj objektivave iraniane, ndërsa Irani është përgjigjur me sulme ndaj anijeve tregtare dhe objektivave në vendet e Gjirit që strehojnë baza amerikane.

Pavarësisht deklaratës së publikuar në emër të tij, misteri rreth Mojtaba Khameneit vazhdon. Ai nuk është shfaqur në publik që nga sulmet amerikano-izraelite në fillim të luftës, në të cilat, sipas raportimeve, mbeti i plagosur, ndërsa babai i tij dhe paraardhësi në postin e udhëheqësit suprem, Ali Khamenei, u vra.

Mungesa e tij e zgjatur ka nxitur spekulime në Iran dhe jashtë vendit nëse ai është ende gjallë ose në gjendje të ushtrojë detyrën. Të gjitha mesazhet e publikuara në emër të tij kanë qenë vetëm në formë të shkruar, pa asnjë paraqitje publike apo mesazh të transmetuar me video.

Sipas Al Arabiya, që citon një zyrtar iranian, Mojtaba Khamenei nuk pritet të dalë në publik deri në përfundimin e luftës.

Memorandumi i mirëkuptimit mes Uashingtonit dhe Teheranit, i miratuar nga Khamenei pavarësisht rezervave të tij, synonte t'i jepte fund operacioneve ushtarake dhe të rikthente lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit. Marrëveshja u shemb brenda më pak se një muaji, pas rifillimit të sulmeve amerikane dhe kundërpërgjigjeve iraniane, duke rritur frikën për një rikthim të plotë të luftës mes dy vendeve.

khamenei sulmon shba-në donald trump lufta iran shba

Lini një Përgjigje