Vjedhje, korrupsion dhe shitje e interesit kombëtar; kur abuzuesit drejtojnë shtetin, pse “çalon” opinioni publik në Shqipëri? - Aktualitet
Aktualitet11 Dhjetor 2022, 19:11

Vjedhje, korrupsion dhe shitje e interesit kombëtar; kur abuzuesit drejtojnë shtetin, pse “çalon” opinioni publik në Shqipëri?

Shkruar nga Pamfleti
Vjedhje, korrupsion dhe shitje e interesit kombëtar; kur abuzuesit

Pse “çalon” opinioni publik në Shqipëri?

Vetëm një drejtësi e vërtetë ligjore dhe e barabartë do të mund ta vendosë moralitetin e munguar prej shekujsh në qeverisjen e Shqipërisë.

Shkruan Spartak Ngjela

A e kemi të formuar ne sot opinionin publik në Shqipëri?

Kjo nuk është një pyetje e thjeshtë, sepse teoritë e ekzistencës së opinionit publik dhe mënyrat e formimit të tij janë të vështira.

Vendet e Perëndimit, që sot e kanë të formuar opinionin publik, e kanë krijuar atë në historinë të gjatë të qytetërimit të tyre.

Po ne shqiptarët?

Ende jo. Ne nuk e kemi ende opinionin tonë publik në nivelet e vendeve të Bashkimit Evropian. Por, duhet të theksojmë se, mungesa e një opinioni publik që mban të pacenuar moralitetin shoqëror, bëhet shkak edhe në mos frenimin e korrupsionit shtetëror.

Por, siç do ta shohim në këtë analizë, ky është gjithashtu edhe shkaku që e ka lehtësuar gjallërimin në aksionin e krimit të organizuar në Shqipëri.

Sepse, si pasojë, në shtete të tilla, korrupsioni shtetëror dhe krimi i organizuar kap, kontrollon dhe drejton vetë qeverinë.

l.

Ne shqiptarëve, na duhet domosdoshmërisht tani të fillojmë të krijojmë në nivel të lartë logjiko-emocional opinionin tonë publik, që ky të jetë frenuesi dhe mbajtësi i vërtetë i kontrollit të moralitetit të qeverisë që drejton vendin.

E gjithë shoqëria duhet të jetë bashkë me një opinion, kur në qeverisje konstatohet korrupsion, vjedhje, shitje e interesit kombëtar dhe shfaqje të tjera që vijnë e bien ndesh me moralin e shoqërisë.

Një shoqëri, që të jetë e bashkuar dhe e lirë nga abuzuesit që drejtojnë shtetin, duhet ta ketë të formuar si arbitër moral opinionin publik.

Në Shqipëri opinioni publik ende nuk është kthyer në një arbitër që duhet të mbrojë moralitetin e politikes që drejton vendin. Sepse dy janë kolonat që mbrojnë dinjitetin shoqëror e kombëtar në një vend: ligji dhe opinioni publik.

Ligjin e mbron pushteti gjyqësor, i drejtë dhe i pavarur, kurse moralitetin në mbarëvajtjen e një shoqërie, e mbron opinioni publik i kësaj shoqërie.

II.

Kriza aktuale e shoqërisë shqiptare qëndron pikërisht në mungesën e drejtësisë, dhe në gjendjen e vakët të reaksionit të opinionit publik kundër abuzimit të qeverisë.

Po, pse çalon opinioni publik dhe është ende i vakët në Shqipëri?

Kryesorja është mungesa e drejtësisë. Por, këtu hyn edhe ekzistenca e një pasioni politik partiak, pasion ky i cili errëson moralitetin shoqëror dhe lejon abuzimin politik të qeverisë që drejton sipas ngjyrës politike.

Ky është pasion shoqëror amoral që shkon deri në krim. Kjo është përkrahja me pasion e një qeverie që shkel ligjin dhe abuzon mbi shoqërinë.

Por, në rrjedhën e këtij fakti të vërtetë, duhet theksuar se, në Shqipëri sot, mungesa e drejtësisë e ka çuar deri në ekstrem pasionin politik, blerjen e votës me paratë e korrupsionit shtetëror, dhe tulatjen e opinionit publik.

Një individ partiak pasionant, e sheh abuzimin dhe vjedhjen e qeverisë së partisë së tij, dhe e lejon. Pse e lejon? Sepse këtë individ e frenon pasioni politik instiktiv që ka në mbrojtjen e partisë se tij, por, edhe interesi i marrjes së pushtetit politik nga partia e tij.

Partia i jep shpresë individëve fanatikë të saj që ajo do të vijë në pushtet. Fanatikët, që janë përkrahës të partisë me çdo mjet, e dinë se gjendja në Shqipëri është korruptive, dhe, partia që vjen në pushtet, me poste dhe korrupsion, pasuron besnikët e saj.

Atëherë?

Kuptohet se gjithçka qëndron te paraja e fituar me anë të abuzimit me pushtetin. Dhe këtu, në këtë abuzim, hyjnë krerët e partisë, tregtarët dhe kompanitë tregtare të partisë në pushtet, por, si pasojë e kësaj gjendjeje, këtu vjen e rreshtohet edhe krimi i organizuar.

III.

Ja pra, tani është qartë: kjo ka qenë gjendja shoqërore në Shqipëri: një parti politike abuzuese që vjen në pushtet dhe thellon korrupsionin; dhe pastaj, gjendja që ecën dhe reflekton e tillë: nga kjo parti, në tregun e kontrolluar prej qeverisë së saj, dhe, nga këtu, deri te krimi i organizuar.

Sepse duhet të kuptohemi, të gjithë të korruptuarit e një qeverie, me gjithë kryeministrin e saj, që kanë hyrë thellë në korrupsion, kanë hyrë në fakt në një rrugë krimi.

Por, në qendër të këtij krimi është paraja e fituar me anë të tij. Dhe paraja blen, dhe paraja kërkon pastrim, dhe paraja kërkon garanci kundrejt konkurrencës në treg; dhe, për të gjitha këto, kjo para vret.

Dhe, pikërisht këtu ndodhet sot shoqëria shqiptare.

E kuptoni tani se përse ekspertët antikrim të Perëndimit kërkuan që reformën antikorrupsionit dhe kundër krimit të organizuar në Shqipëri duhej ta fillonim nga reforma në drejtësi?

Aristoteli na ka thënë: Mbreti i cili humbet mbështetjen e popullit nuk është më mbret…(is a king no longer). Domethënë, nuk e pranon opinioni publik. Po opinioni ynë publik, e arrin dot këtë? Deri tani nuk e ka arritur.

IV.

Në arsyen historike që analizuam më lart, përqendrohet sot në Shqipëri opinioni publik, në lidhje me politikën.

Por, në përmirësimin e kësaj gjendjeje, koncepti veprues më i veçantë i opinionit publik shqiptar, gjithmonë duhet të jetë moraliteti.

Për këtë arsye:

Opinioni publik në Shqipëri duhet të ketë tri aspekte të veçanta që duhet të bashkohen në një pikë.

Këta janë:

Të tria këto duhet të mos ngatërrohen fare me interesin dhe pikëpamjen politike.

Domethënë:

Nëse qeveria e Shqipërisë shet interesin kombëtar, nga të gjithë, edhe nga votuesit e përkrahësit e saj, duhet shkelmuar qeveria;

Nëse media e shitur, gënjen dhe kërkon të thellojë konfliktet e brendshme shoqërore në Shqipëri, dhe gënjen kundër interesit kombëtar, kjo medie: televizion, radio apo gazetë qoftë, duhet të gjykohet për tradhti;

Nëse të gjithë e kuptojnë se qeveria shqiptare, pavarësisht nga ngjyra politike që përfaqëson, abuzon me korrupsionin, opinioni shoqëror duhet të jetë kundër saj, i bashkuar dhe jashtë interesit partiak.

Këto janë tri cilësitë që, kur bashkohen, krijojnë opinionin publik. A i kemi ne shqiptarët këto të tria?

Po t’i kishim, nuk do të qëndronim më në këtë gjendje të mjerë korrupsioni që po dëmton rëndë historinë e ardhshme të Shqipërisë.

Por, ndërkohë me ndihmën e Perëndimit, në Shqipëri ka filluar reforma në drejtësi.

Prandaj, shpresa e ndryshimit sot është te reforma në drejtësi. Të shohim muajt e parë të vitit që po vjen: ku, kjo reformë, ose do të varroset ose do t’u japë shqiptarëve shpresën për të ardhmen.

Vetëm një drejtësi e vërtetë ligjore dhe e barabartë do të mund ta vendosë moralitetin e munguar prej shekujsh në qeverisjen e Shqipërisë.

Forum Korrupsion Shqiperi spartak Ngjela