
Rreth 20 punëtorë të inceneratorit të Fierit kanë bojkotuar punën paraditen e sotme, duke bllokuar hyrjen e automjeteve që kryejnë shkarkimin e mbetjeve urbane të 6 bashkive të qarkut Fier.
Punëtorët pohojnë se kanë 5 muaj pa marrë pagat dhe disa muaj pa sigurime shoqërore.
Ata thonë të indinjuar se që nga muaji janar janë pa paguar ndërkohë që negociatat me administratorin shtetëror të inceneratorit Farudin Arapi kanë rezultuar pa sukses.
Ndërkohë nga vetë kompania nuk ka pasur asnjë reagim.
Ju rikujtojmë se ditën e djeshme ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako, përfituan gjykim të shkurtuar në Gjykatën e Posaçme, mbi akuzat e SPAK kundër tyre për inceneratorin e Fierit.
Kërkesa për gjykim të shkurtuar u artikulua nga avokatët e tyre, por u konfirmua edhe nga Koka e Bllako, të pranishëm në kafazin e sallës së gjyqit.
Përmes kësaj forme të posaçme, gjyqi bëhet mbi dosjen e sjellë nga prokuroria, pa marrë prova të reja dhe në përfundim, në rast fajësie, të pandehurit përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit. Gjykimi i shkurtuar u pranua edhe për 14 të pandehur të tjerë, mes të cilëve ish-zv.presidenti i FSHF, Arben Dervishaj dhe biznesmeni Klodian Zoto, si edhe për tre shoqëri tregtare. Për të pandehurit Etleva Kondi, Arenc Myrtezani dhe italiani Giussepe Chiafaglione dosja penale u veçua dhe do të vijojë me procedurën e gjykimit të zakonshëm.
Në të njëjtën seancë gjykata refuzoi kërkesën e të pandehurit Arben Dervishaj dhe Regan Merdanit për moskompetencë të gjykimit të tyre nga GJKKO.
Në seancën e radhës, e caktuar në 12 qershor, SPAK pritet të lexojë pretencën, kërkimin e saj mbi fajësinë dhe dënimet e të pandehurve.
Në dosjen e inceneratorit të Fierit, ish-ministri Koka akuzohet për “shpërdorim të detyrës”, “korrupsion të zyrtarëve të lartë” dhe “pastrim parash”, ndërsa ish-deputeti Bllako për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion të funksionarëve publikë”.
Sipas SPAK, për të favorizuar në mënyrë të jashtëligjshme shoqërinë koncesionare të inceneratorit të Fierit, ish-ministri i mjedisit, Koka ka përfituar 146 milionë lekë ryshfet, ndërsa Alqi Bllako 14 milionë.
Ndërsa Klodian Zoto akuzohet të ketë përfituar 4 milionë euro për shërbime që nuk janë kryer, por janë paraqitur situata të falsifikuara, duke i kryer vetëm në letra punimet. Pak ditë më parë, në procesin e inceneratorit të Elbasanit, SPAK kërkoi dënimin me 6 vjet e 8 muaj burg për Kokën dhe 2 vjet e 8 muaj për Bllakon.
Lini një Përgjigje