
Protestuesit u mblodhën në Sheshin "Skënderbej" dhe marshuan drejt Kryeministrisë, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre dhe largimin e klasës politike.
Nis protesta e 50-të qytetare kundër qeverisë Rama dhe opozitës. Me flamuj në duar, pankarta dhe thirrje për plotësimin e kërkesave të tyre, si edhe për largimin e të gjithë kastës politike, protestuesit janë grumbulluar në Sheshin "Skënderbej" në Tiranë.
Pas fjalimeve të mbajtura nga disa prej pjesëmarrësve, qytetarët kanë nisur marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku pritet të vijojnë protestën.
Organizatorët kanë bërë të ditur se mobilizimi i tyre do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Konkretisht, protesta e radhës është paralajmëruar për 23 korrik, kur qytetarët do të zhvendosen përpara godinës së Kuvendit, paradite, në kohën kur do të zhvillohet seanca e radhës plenare.
Një nga aktivistët, në fjalën e tij gjatë grumbullimit në sheshin “Skënderbej” ka deklaruar se qëllimi i mbajtjes së protestës paradite, është që t’u përcjellin deputetëve mesazhin se qytetarët nuk ndihen të përfaqësuar nga parlamenti aktual.
Sipas tij, protesta e 23 korrikut do të jetë një tjetër formë e reagimit qytetar pas javësh të tëra rezistence në rrugët e Tiranës.
“Në datë 23 korrik është protesta paradite. T’i tregojmë parlamentit që nuk na përfaqësojnë dhe që nuk jemi të kënaqur me punën që ata bëjnë. Në ditët e ardhshme kemi përgatitur disa gjëra interesante. Studentët distancohen kategorikisht nga Kuvendi që ka dalë nga protesta, nuk e di si mund ta quajnë veten përfaqësues, kur shumica e protestuesve nuk i mbështet”, tha qytetari.
Ajo që nisi si një reagim kundër projektit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit është shndërruar në një lëvizje me kërkesa më të gjera, ku protestuesit akuzojnë qeverinë për korrupsion dhe keqqeverisje.
Gjatë marshimit drejt Kryeministrisë u dëgjuan thirrjet: "Rama ik!", "Berisha ik!", "Ikni të gjithë!", "Poshtë kasta politike!", "Duam Shqipërinë si gjithë Europa!", "Qeveria dhe politika janë kthyer në harem!", "Jep dorëheqjen!", "Ju erdhi fundi!".
Aktivistët prej 49-të ditësh rresht, theksojnë se protestat do të vijojnë çdo ditë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Gjatë marshimit në bulevardin para Kryeministrisë pati brohoritje të vazhdueshme, këngë patriotike dhe pankarta ironizuese drejtuar qeverisë dhe gjithë klasës politike.
Lini një Përgjigje