Sipas statistikave të KPK, rezulton se 326 magjistratë kanë dalë jashtë sistemit, ku 231 janë shkarkuar dhe 95 janë dorëhequr. Por nga të gjithë këta emra, vetëm një prej tyre është dënuar. Ai është ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.
Gjyqtarët dhe prokurorët e ngelur në veting vijojnë të shijojnë pasuritë e tyre, pavarësisht se rezultojnë të korruptuar. Vettingu nis zyrtarisht në vitin 2018 dhe që nga shkurti i këtij viti e deri më sot, janë shkarkuar dhe dorëhequr afro 330 gjyqtarë e prokurorë. Shumica janë larguar nga sistemi pasi është konstatuar se kanë vënë pasuri të paligjshme. Për të qenë më të saktë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nga data 8 shkurt 2018 deri në datën 31 maj 2023 ka dhënë 663 vendime, nga të cilat:
-279 vendime konfirmim në detyrë për 142 gjyqtarë, 123 prokurorë, 2 ish-inspektorë në KLD, 1 inspektor në KLGJ dhe 11 ndihmës/këshilltarë ligjorë;
-231 vendime për shkarkim nga detyra për 135 gjyqtarë, 1 ish-gjyqtare në GJL, 91 prokurorë, 1 inspektor në ILD, 1 inspektor në KLGJ dhe 2 ndihmës ligjorë;
-95 vendime për ndërprerje procesi (neni G i Aneksit të Kushtetutës) për 57 gjyqtarë, 25 prokurorë, 1 ish- prokuror, 10 ndihmës ligjorë, 2 ish-inspektorë në KLD;
-8 vendime për pushimin e procesit për 3 gjyqtarë, 1 prokuror dhe 4 ndihmës ligjorë në Gjykatën e Lartë (neni 56 i ligjit nr. 84/2016);
-46 vendime për përfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar për 25 gjyqtarë, 17 prokurorë, 1 ish-kryeinspektor në KLD dhe 1 ish-inspektor në ILD dhe 2 ndihmës ligjor (neni 95 i Kodit të Procedurave Administrative dhe neni 64 i ligjit nr. 96/2016);
- 4 vendime për pezullimin nga detyra për 3 prokurorë dhe 1 ndihmës ligjor;
Nëse bashkojmë shkarkimet dhe dorëheqjet, rezulton se afro 326 magjistratë kanë dalë jashtë sistemit, ku 231 janë shkarkuar dhe 95 janë dorëhequr. Por nga të gjithë këta emra, vetëm një prej tyre është dënuar. Pak ditë më parë, ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja u dënua me 6 muaj burg, por që u konvertua në shërbim prove. Ndërsa gjithë të tjerët ja kanë hedhur paq.
Në çdo raport të publikuar nga BE dhe nga SHBA theksohet se hetimi i të ngelurve në veting është emergjencë. Është absurde se si ata që janë shkarkuar për fshehje pasurie sot janë avokatë dhe pedagog në Shkollën e Magjistraturës dhe në universitet private e publike.
SPAK justifikohet se ka kompetencë vetëm për ish-anëtarët e Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë. Por edhe pse ata janë shkarkuar thuajse të gjithë dhe kanë pasuri miliona euro, sërish janë amnistuar. Sa i takon prokurorëve dhe gjyqtarëve në rrethe, as për ta nuk e vë ujin në zjarr kush. Për 30 vite të gjithë vodhën dhe vunë pasuri sheikësh, tani i shijojnë dhe madje disa dalin si avokatë dhe shajnë drejtësinë. Dikur ishin ata që fusnin në burg kriminelët, ndërsa tani janë ata që duan t’i nxjerrin nga burgu dhe kjo vetëm sepse nuk ka nisur asnjë hetim ndaj tyre. /Pamfleti
Lini një Përgjigje