Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka kërkuar një reagim më të fortë dhe më konkret nga Shqipëria pas deklaratës së ministres serbe Snežana Paunović, e cila tha se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë.
I ftuar në emisionin “Now” me moderatore Erla Mëhilli në Euronews Albania, Sveçla u shpreh se Shqipëria, si shteti amë i shqiptarëve, duhet të mbajë një qëndrim më aktiv ndaj këtyre deklaratave.
“Patjetër, duke qenë se Shqipëria është vendi amë i shqiptarëve dhe duke qenë se në vetë Kushtetutën e Shqipërisë është obligim mbrojtja e shqiptarëve dhe interesave të tyre, unë pres më shumë. Do të thotë që unë pres një reagim faktik, aktiv ndaj këtyre kërcënimeve. Për shkak se këto nuk janë deklarata, këto janë edhe kërcënime, të cilat bazohen në të kaluarën, shumë të dhimbshme tonën, edhe në sjelljen e Serbisë. Unë besoj se reagimi i Shqipërisë duhet të jetë më konkret dhe më aktiv. Duhet një demaskim i kësaj sjelljeje dyfytyrëshe të Beogradit, sepse nuk ka probleme me Kosovën, por probleme me shqiptarët,” deklaroi Sveçla.
Duke komentuar deklaratën e ministres serbe, Sveçla theksoi se ajo nuk mund të konsiderohet një qëndrim individual, por pasqyron, sipas tij, politikën historike të Serbisë ndaj shqiptarëve.
“Absolutisht nuk është një deklaratë personale e një individi. Ajo është ministre në qeverinë e Serbisë dhe reflekton një qëndrim historik të Serbisë kundër shqiptarëve. Nuk është hera e parë që ne jemi viktimë e dhunës serbe. Fakti që shumica e shqiptarëve të Kosovës jetojnë jashtë vendit dhe që kemi një mërgatë të fuqishme është rezultat i represionit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës. Kjo është vetëm një episod i ri, një dëshirë e saj dhe e qeverisë së saj për të ripërsëritur historitë e dhimbshme të shqiptarëve,” u shpreh ai.
Sveçla reagoi edhe ndaj deklaratave të ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiç, duke thënë se drejtuesit aktualë të Serbisë nuk janë distancuar kurrë nga politikat e Sllobodan Millosheviçit.
“As qëndrimi i Ivica Daçiçit nuk është i panjohur për shqiptarët. Ai ka qenë numri dy i Millosheviçit dhe është kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë. Asnjëherë nuk janë distancuar nga politikat gjenocidale të Millosheviçit, as ndaj shqiptarëve, as ndaj boshnjakëve, as ndaj kroatëve. Edhe vetë Vuçiçi ka qenë numri dy i Sheshelit. Është e njëjta klikë, e njëjta politikë, vetëm se rrethanat janë ndryshe. Sot Kosova është shtet sovran dhe po forcon çdo ditë institucionet që mbrojnë qytetarët e saj. Përveç deklaratave dhe kërcënimeve, këto mund të mbeten vetëm në nivel dëshirash,” tha ministri kosovar.
Lini një Përgjigje