TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Korrik 2025, 15:47

“Ambulantët nuk kanë nevojë për kuponë”, Tatimet dhe Bujqësia sqarojnë aksionin për sigurinë ushqimore: Si do lëshohen faturat

Shkruar nga Pamfleti

“Ambulantët nuk kanë nevojë për kuponë”,

Qeveria shqiptare ka intensifikuar aksion për sigurinë ushqimore dhe formalizimin e sektorit bujqësor, duke përfshirë kontrolle në terren, kërkesa për lëshimin e faturave fiskale dhe sqarime për detyrimet tatimore të aktorëve të ndryshëm. Në qendër të këtij aksioni janë fermerët, tregtarët ambulantë dhe subjektet që merren me tregtimin dhe grumbullimin e produkteve bujqësore e blegtorale.

Në një deklaratë të përbashkët, Ministria e Bujqësisë dhe Administrata Tatimore sqarojnë se synimi nuk është ndëshkimi i fermerëve, por ndërtimi i një sistemi transparent dhe të besueshëm që garanton sigurinë ushqimore dhe mbështet ekonominë rurale. “Fermerët nuk janë fajtorë, por bashkëpunëtorë të rëndësishëm në ndërtimin e një ekonomie të ndershme dhe të sigurtë”, theksohet në njoftim.

Sipas Ministrisë, vendosja e faturimit të produkteve bujqësore ka për qëllim gjurmueshmërinë, sigurinë dhe transparencën e tregtisë agroushqimore, duke mundësuar gjithashtu akses më të lehtë në subvencione, kredi dhe programe zhvillimi për fermerët e formalizuar. Aktualisht, eksportet shqiptare kanë hyrë në mbi 80 tregje ndërkombëtare – një tregues ky që kërkon më shumë standarde e kontroll.

Ndërkohë, Administrata Tatimore ka sqaruar hapat konkrete për fiskalizimin e transaksioneve bujqësore. Tregtarët që blejnë mallra nga fermerët duhet të lëshojnë “autofaturë” të fiskalizuar, ku përshkruhen mallrat, të dhënat e shitësit dhe natyra e transaksionit, pa përfshirë TVSH-në. Në rastet kur qarkullimi i fermerëve tejkalon 10 milion lekë në vit, ata janë të detyruar të regjistrohen si tatimpagues të rregullt në QKB.

Drejtoria Tatimore bën me dije se për lëshimin e saktë të këtyre faturave, tatimpaguesit duhet të ndjekin disa hapa:

1. Zgjidhni opsionin “autofaturë”, i cili përmban automatikisht të dhënat e blerësit që po lëshon faturën
2. Lloji i faturës duhet të jetë “Blerje nga fermerët vendas” (Domestic)
3. Vendosni të dhënat e fermerit shitës (emri dhe NIPT-i)
4. Përshkruani mallrat e blerë, pa llogaritur TVSH-në

Për të vërtetuar saktësinë e transaksionit dhe origjinën e mallrave të shitur, rekomandohet që fatura të jetë e nënshkruar nga shitësi (fermeri).

Por në një tjetër linjë të këtij aksioni, Administrata Tatimore qetëson kategorinë e tregtarëve ambulantë. Këta të fundit, të cilët shesin në hapësira publike me leje të bashkive dhe janë të vetëpunësuar, nuk kanë detyrim për të lëshuar faturë apo për të mbajtur dokumentacion tatimor. Përjashtimi i tyre është i përcaktuar qartë në ligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” dhe ligjin “Për procedurat tatimore”.

Detyrimet e vetme të tregtarëve ambulantë mbeten pagesa e kontributeve shoqërore, taksat bashkiake dhe regjistrimi në Drejtorinë Tatimore si subjekt ambulant. Administrata thekson se ky status nuk përfshin punësimin e personave të tjerë dhe se veprimtaria e tyre duhet të zhvillohet vetëm me leje përkatëse nga bashkia.

Në këtë aksion të ndërthurur, duket se qeveria po tenton të vendosë një balancë mes formalizimit të sektorëve problematikë dhe ruajtjes së hapësirës për aktivitetet e vogla e të mbijetesës. Rregullat e reja synojnë më shumë kontroll e cilësi në treg, por mbetet për t’u parë se si do të zbatohet në praktikë ky proces pa i goditur padrejtësisht fermerët apo shitësit e vegjël.

Lini një Përgjigje