TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Korrik 2025, 10:44

“Qeveri agresore”, aktivistë nga Mirdita i bashkohen banorëve në Theth: Masakër mbi fshatin turistik

Shkruar nga Pamfleti

“Qeveri agresore”, aktivistë nga Mirdita i bashkohen

Aktivistë dhe qytetarë të Mirditës iu bashkuan sot banorëve në Theth, në një akt solidariteti me ta, ndërsa prej 1 jave një prej zonave turistike po përballet me një aksion të IKMT-së dhe Policisë së Shtetit për shembjen e rreth 100 ndërtimeve që konsiderohen pa leje.

Nën moton “Mirdita solidarizohet me Dukagjinin”, aktivistët e konsiderojnë jo vetëm si një akt simbolik bashkimin e tyre me banorët në Theth, por edhe si një thirrje për ndërgjegjësim.

“Jemi nisur për të shkuar drejt Thethit, po shkojmë të solidarizohemi me banorët atje”, tha një prej aktivistëve nga Mirdita.

Ndërkohë një tjetër e konsideron si masakër atë që ndodhi me fshatin turistik. “Ne luftë nuk do të bëjmë me qeverinë, por të shohim masakrën që ka bërë regjimi komunist”, thotë ai.

Të tjerë thonë se qeveria është kthyer në agresor.

“Kur shteti kthehet në një agresor, populli mbledh kanunin dhe është reagim për t’u mbrojtur. Kryeministri jonë është kthyer në një agresor. Kur në një anë para votimeve u thotë i gëzofshi dhe pas votimeve ua shemb. Nuk ka pabesi më të madhe t’i prishësh tokën që e ka gjysh pas gjyshi. Nuk është tokë e xanun, është tokë e trashëguar, që e kanë mbrojtur me breza, tokë e vaditur me gjak. Shkoi ky t’jua prishë me ca policë partie që i ka trajnuar për të sulmuar dhe sjellë në atë mënyrë siç u sollën. Ne do të shkojmë në mbështetje të atyre njerëzve që sot ka nevojë. Kur shteti nuk ekziston, bajraku dhe njerëzit e mençur do ta drejtojnë vendin.”, u shpreh një banor tjetër i Mirditës, raporton Report Tv.

Aksioni i IKMT nisi rreth 1 javë më parë me shembjen e një objekti pa leje në qendër të Thethit, pranë Kishës së fshatit, për të vijuar më pas me shembjen e rreth 100 ngrehinave. Sot është vendosur të shembet godina e fundit, një ndërtesë 3-katëshe, të cilës do i vendoset tritoli.

Lini një Përgjigje