
Analisti Andi Tela deklaroi se protesta qytetare, edhe pse me pjesëmarrje më të ulët krahasuar me ditët e para, vijon të jetë aktive. Sipas tij, tubimi qytetar përfaqëson pakënaqësinë e akumuluar ndaj klasës politike në 36 vitet e fundit.
I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit", Tela u shpreh se protesta nuk është shuar, por vazhdon të mbledhë qytetarë me bindje dhe qëndrime të ndryshme politike, të bashkuar nga zhgënjimi ndaj mënyrës së qeverisjes.
"Kjo protestë është pasqyra e një zhgënjimi 36-vjeçar. Në javët e para pati kulmet e saj, por edhe sot vazhdon. Numrat janë më të vegjël për arsye të ndryshme, megjithatë protesta nuk është fikur dhe duhet të vazhdojë", u shpreh ai.
Sipas Telës, si mazhoranca ashtu edhe opozita kanë interesa të ndryshme në raport me protestën, ndërsa vetë lëvizja qytetare është kritike ndaj të dyja palëve.
"Rama dhe mazhoranca janë të interesuar që protesta të shuhet, ndërsa opozita kërkon ta përdorë sipas interesit të saj. Por kjo protestë është kundër të dyja palëve, sepse qytetarët janë zhgënjyer nga të gjithë", tha analisti.
Ai theksoi se protesta nuk synon të krijojë një subjekt të ri politik, pasi nuk funksionon si parti apo sindikatë. Sipas Telës, objektivi i saj është krijimi i kushteve për një qeveri teknike, ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe reformimin e Kushtetutës, me synimin për të garantuar përfaqësim të barabartë dhe zgjedhje të lira e të ndershme.
"Duke mos qenë forcë politike, misioni i protestës është ta drejtojë vendin drejt dorëheqjes së qeverisë, ndryshimit të Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës, në mënyrë që të ketë zgjedhje të ndershme dhe përfaqësim të barabartë", deklaroi analisti.
Lini një Përgjigje