
Kryetari i lëvizjes BASHKË, Arlind Qori deklaroi se kjo situatë kaotike që ka përfshirë Kuvendin e Shqipërisë, nuk është gjë tjetër veç se një ujdi mes kryeministrit Rama dhe ish kryeministrit Berisha.
Me anë të një reagimi në rrjetin social ‘Facebook’, Qori theksoi se Rama ka nevojë për Berishën edhe në këtë gjendje të mjerueshme që ndodhet, pasi sipas tij, Berisha është e vetmja siguri që Rama të mos shkojë në burg.
“Edi Rama ka nevojë për Sali Berishën. I duhet i lodhur, i izoluar, me paterica, por ende në këmbë. I hyn në punë si gogol që vë në rresht votuesit tradicionalë të PS, për ta mundur çdo herë e më thellë në zgjedhje. Në dukje paradoksale, e vetmja shpresë e Sali Berishës për të mbetur jashtë burgut është Edi Rama. Njëkohësisht, e vetmja siguri që Edi Rama të mos përfundojë vetë nesër në burg është Sali Berisha.
Ndaj këto ditë, kur Sali Berisha duhet të ishte përpara dy gjyqeve – atij zyrtar për kompleksin Partizani dhe atij të opinionit publik për korrupsionin e qeverisjes së vet – Edi Rama po i lëshon një kamerdare, duke i mundësuar të ketë një kauzë: pengimin e opozitës parlamentare për të hetuar çështje të korrupsionit të sotëm. Kështu Edi Rama me një gur vret dy zogj: mbron veten dhe “armikun” e tij të preferuar. Po ne, deri kur do të biem pre e ujdive mes këtyre dy fytyrave të së njëjtës monedhë të së keqes?”, shkruan Qori.
Lini një Përgjigje