TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Korrik 2026, 20:44

"Lironi protestuesit", aktivistja: Sa më shumë dhunë, aq më shumë njerëz do të dalin në shesh

Shkruar nga Pamfleti
"Lironi protestuesit", aktivistja: Sa më shumë dhunë,
Vijon protesta

Protesta antiqeveritare ka vijuar edhe në ditën e saj të 54-t, ndërsa nga sheshi nuk kanë munguar thirrjet për lirimin e protestuesve të shoqëruar nga policia gjatë tubimit të një dite më parë para Kuvendit.

Gjatë fjalës së saj, aktivistja Sidorela Vatnikaj kërkoi lirimin e të gjithë protestuesve që, sipas saj, mbahen ende në komisariate, duke akuzuar qeverinë dhe drejtues të saj për gjuhë kërcënuese ndaj qytetarëve.

"Sot u përballëm me gaz lotsjellës, me sprej me piper. Sot përballë kemi pasur gjuhën kriminale të Taulant Ballës, Ulsi Manjës dhe Edi Ramës, me dorën e zgjedhur të krimit në Parlament. Ne e dimë se dhuna juaj vendos të kërcënojë e të shantazhojë familjarët tanë, por ju themi se nuk ju kemi frikë", u shpreh ajo.

Vatnikaj deklaroi se, sipas saj, policia kishte marrë urdhër për të goditur dhe arrestuar protestuesit, por shtoi se kjo nuk do ta ndalojë lëvizjen qytetare.

"Sot policia dhe shteti duhet ta shohin se sa më shumë dhunë ushtroni, aq më shumë njerëz do të ketë në shesh. Sa më shumë gaz hidhni, aq më shumë solidaritet ka mes nesh. Për këdo që mendon se ka frikësuar aktivistët apo familjarët, i themi se nuk ju kemi frikë", tha ajo.

Aktivistja përmendi edhe rastin e protestuesit Ani Peci, për të cilin tha se mbahet në Komisariatin nr. 1 dhe se rrezikon të qëndrojë i ndaluar për 72 orë.

Në përfundim të fjalës së saj, Vatnikaj i bëri thirrje Policisë së Shtetit të lirojë të gjithë aktivistët që, sipas saj, janë shoqëruar për pjesëmarrjen në protestat paqësore kundër qeverisë.

protesta

Lini një Përgjigje