Humbja e Argjentinës përballë Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026, e zhvilluar në stadiumin “MetLife” në New Jersey, ka shkaktuar shumë reagime te tifozët “albiçeleste”. Një pjesë e tyre kanë nisur edhe një peticion online, ku kërkohet që ndeshja të zhvillohet sërish.
Peticioni është iniciuar nga tifozja argjentinase Gisela Sançez në platformën “Change.org”, e cila i kërkon FIFA-s të urdhërojë riluajtjen e finales së fituar nga Spanja me golin e Ferran Torres në kohën shtesë. Deri tani, kërkesa ka grumbulluar më shumë se 80 mijë nënshkrime.
Sançez pretendon se arbitri slloven Slavko Vinçiç ka pasur një paraqitje “të diskutueshme dhe të korruptuar”, duke kërkuar që FIFA të analizojë disa prej vendimeve të marra gjatë sfidës. Megjithatë, peticioni nuk paraqet prova konkrete për këto akuza, përveç disa pamjeve të shpërndara në rrjetet sociale, të cilat organizatorja pretendon se tregojnë favorizim ndaj Spanjës.
Sipas rregulloreve të FIFA-s, një ndeshje mund të riluhet vetëm në raste të jashtëzakonshme, si shkelje të rënda të rregullave të garës. Shembuj të tillë mund të jenë aktivizimi i një lojtari të papërshtatshëm ose ndërhyrje të jashtme që ndikojnë në procesin zyrtar të ndeshjes para konfirmimit të rezultatit.
Një peticion online, pavarësisht numrit të madh të firmave, nuk ka fuqi sportive apo ligjore për të ndryshuar rezultatin e një finaleje të përfunduar.
Kjo nuk është hera e parë që një kërkesë e tillë shfaqet në futbollin ndërkombëtar. Pas finales së Kupës së Botës 2022 në Katar, ku Argjentina mposhti Francën, mbi 200 mijë tifozë francezë firmosën një peticion për riluajtjen e ndeshjes, duke kundërshtuar disa vendime të arbitrit polak Shimon Marshiniak.
Megjithatë, në historinë e futbollit ekzistojnë raste të rralla kur një ndeshje është përsëritur. Një prej tyre ndodhi në vitin 2006, kur përballja kualifikuese e Botërorit mes Uzbekistanit dhe Bahreinit u riluajt për shkak të një gabimi teknik të gjyqtarit, dhe jo për shkak të pakënaqësive me vendimet e marra gjatë lojës.
Lini një Përgjigje