
Avokati i Ilir Metës, Genc Gjokutaj është parë të hyjë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Tiranës, aty ku raportohet se po mbahet kreu i PL.
Në ambientet e brendshme të Drejtorisë së Policisë së Tiranës shihet edhe sekretari i Përgjithshëm i PL teksa qëndron me avokatin.
Gjokutaj është njëkohësisht edhe avokati i Sali Berishës.
Ilir Meta u arrestua pak or në zonën e njohur si “Kthesa e Kamzës” në kryeqytet. Ai është vënë në pranga me urdhër të tre prokurorëve, Sotir Kllapi, Arben Kraja e Altin Dumani për hetimet e CEZ DIA, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Në një prononcim për mediat, Sekretari i PL Tedi Blushi e quajti arrestimin e Metës, rrëmbim nga një organizatë kriminale.
“Një strukturë kriminale, terroriste që guxon të rrëmbejë në mes të ditës ish-Presidentin e Republikës, ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e Parlamentit. Kjo është një fatkeqësi dhe tregon edhe njëherë gjendjen skandaloze, aktin e rëndë kriminal që do të marrë përgjigje shembullore nga të gjithë shqiptarët”, u shpreh ai në prononcimin për mediat jashtë selisë së PL.
Lini një Përgjigje