TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Korrik 2026, 22:09

Humbet jetën në një aksident tragjik gazetari Enrik Mehmeti

Shkruar nga Pamfleti
Humbet jetën në një aksident tragjik gazetari Enrik Mehmeti
Enrik Mehmeti

Aksidenti tragjik i merr jetën gazetarit të njohur vlonjat...

Gazetari nga Vlora Enrik Mehmeti ka humbur jetën mbëmjen e sotme si pasojë e një aksidenti tragjik.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e plazhit të Zvërnecit. Sipas të dhënave të para shkak është bërë një aksident me motor.

Sipas informacioneve dhe dëshmive të para nga vendngjarja, gazetari ishte duke udhëtuar me motor me 4 rrota, kur për shkaqe që ende nuk dihen, mjeti është përmbysur duke u rrokullisur disa herë.

Humbet jetën në një aksident tragjik gazetari Enrik Mehmeti
Motori me të cilin udhëtonte gazetari 40-vjeçar

Gjatë aksidentit, një pjesë metalike e mjetit e goditi rëndë në kraharor, duke i shkaktuar dëmtime fatale.

Menjëherë pas aksidentit, ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.

Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e plota të aksidentit.

Me largimin e tij, gazetaria shqiptare humbet një reporter terreni që për më shumë se dy dekada ishte i lidhur ngushtë me zhvillimet në Vlorë. Për vite me radhë, Mehmeti ishte fytyra dhe zëri që solli në media ngjarjet më të rëndësishme të jugut të vendit, nga kronika e zezë te operacionet policore, zhvillimet sociale, politike dhe turistike.

Ai njihej për praninë e menjëhershme në vendngjarje, raportimet ekskluzive dhe këmbënguljen për të sjellë informacionin e verifikuar, edhe në situata të vështira.

Përtej gazetarit, Enrik Mehmeti ishte një bashkëshort dhe baba i përkushtuar i dy fëmijëve. Në një intervistë të viteve më parë ai rrëfente se lindja e vajzës së tij, e kishte bërë më të ndjeshëm dhe i kishte ndryshuar jetën, duke treguar anën njerëzore të një gazetari që publiku e njihte kryesisht mes ngjarjeve të rënda dhe kronikës së përditshme.

Largimi i tij lë një boshllëk të madh te kolegët, miqtë dhe publiku që e ndoqi për vite me radhë. Një reporter që jetoi me ritmin e lajmit, gjithmonë në kërkim të së vërtetës dhe pranë ngjarjeve që shënuan jetën e qytetit të Vlorës.

aksident vlore

1 Komente

  1. M
    Malo

    Ngushellime Familjes

    Lini një Përgjigje