
Vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten korridore të rëndësishme në Evropë për trafikimin e drogës, të qenieve njerëzore dhe të emigrantëve, thuhet në Indeksin e Krimit të Organizuar 2025, të përgatitur nga një organizatë jofitimprurëse kundër korrupsionit.
Pavarësisht dallimeve të tyre politike dhe ekonomike, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia ndajnë një sërë cenueshmërish që i bëjnë ato një mjedis të favorshëm për krimin e organizuar, sipas Indeksit të Krimit të Organizuar 2025, i publikuar të hënën.
Raporti, i përgatitur nga organizata jofitimprurëse me qendër në Gjenevë “Global Initiative Against Transnational Organized Crime”, thotë se të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor veprojnë në mënyra të ndryshme si burim, tranzit dhe destinacion për trafikimin dhe kontrabandën e njerëzve, veçanërisht në itinerarin e njohur migrator nga Greqia drejt Evropës Qendrore.
Grupet kriminale shqiptare dhe rrjetet e tyre në diasporë vazhdojnë të transportojnë njerëz dhe mallra të paligjshme përtej Atlantikut. “Shqipëria mbetet një vend si burimi ashtu edhe tranziti për trafikimin e qenieve njerëzore, me grupe kriminale të organizuara që mbajnë rrjete të gjera ndërkombëtare”, thuhet në raport.
Zonat kufitare në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, me kontrolle të kufizuara, përbëjnë një tjetër korridor kyç për emigrantët, personat e trafikuar dhe mallrat që lëvizin drejt Serbisë. “Trafikimi i qenieve njerëzore në Serbi mbetet i përhapur, me vendin që vepron si origjinë, tranzit dhe destinacion”, theksohet më tej.
Shkalla e lartë e emigrimit të njerëzve nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian e bën më të lehtë organizimin e punës së detyruar dhe shfrytëzimit seksual dhe më të vështirë luftimin e tyre. Viktimat gjenden mes punëtorëve në turizmin sezonal, ndërtim, hoteleri, bujqësi dhe në shtëpitë private.
Në Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë, pakicat etnike të cenueshme, si gratë dhe fëmijët romë, janë veçanërisht në rrezik nga lypja e detyruar dhe martesa e hershme apo e detyruar. Në Mal të Zi dhe Shqipëri, shfrytëzimi shpesh lidhet me turizmin dhe jetën e natës.
Raporti thekson korrupsionin si një nga faktorët që e mundësojnë këtë, duke vënë në dukje se në Mal të Zi dhe Serbi, rrjetet e vjetra të patronazhit historikisht kanë mbrojtur grupe të caktuara nga zbatimi i ligjit.
Në Maqedoninë e Veriut, koalicionet politike që ndryshojnë shpesh pengojnë vazhdimësinë në politikat kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Në mbarë rajonin, policia, shërbimet doganore, autoritetet komunale dhe sistemet gjyqësore janë të ndjeshme ndaj ndikimit. Sistemi kompleks administrativ i Bosnjës e bën të vështirë zbulimin dhe ndjekjen penale të rasteve të tilla, veçanërisht në zonat pranë kufirit me Kroacinë.
Mali i Zi nuk është një pikë qendrore për flukset e emigrantëve, por bregdeti dhe portet e tij luajnë një rol thelbësor në tregjet e tjera të paligjshme në rajon, sidomos në kontrabandën e drogës dhe duhanit.
Shumica e kokainës që trafikohet nga Amerika e Jugut kalon nëpër portin e Tivarit në Mal të Zi dhe nëpër Durrës në Shqipëri, prej nga pastaj përfundon në Evropën Perëndimore. Një pjesë e vogël e saj mbetet në rajon për tregjet vendore.
“Trafikantët shqiptarë ruajnë lidhje të forta me furnizuesit në Kolumbi dhe Ekuador, gjë që u mundëson atyre të zgjerojnë ndikimin në tregjet evropiane të kokainës”, thuhet në raport, ndërkohë që grupet kriminale nga Serbia dhe Mali i Zi shpesh lidhen me tregtinë e kokainës në shkallë të gjerë, duke përdorur biznese legale në fushat e logjistikës, transportit dhe mikpritjes për pastrimin e fitimeve.
Prodhimi i kanabisit vazhdon të jetë i pranishëm në zonat malore të Shqipërisë, ku prania e forcave të rendit është e kufizuar. Kultivimi i kanabisit mbetet gjithashtu problem në disa pjesë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, prej nga ai përfundon në Bosnjë dhe Serbi si vende tranziti ose konsumatori.
Raporti thekson se grupet kriminale shpesh janë të lidhura me struktura shtetërore dhe madje veprojnë nën mbrojtjen e tyre, çka shpesh nënkupton mungesën e hetimeve apo ndjekjeve penale për këto krime.
Raporti shton gjithashtu se shkalla e krimeve mjedisore nga prerjet e paligjshme të pyjeve deri te nxjerrja e mineraleve është gjithashtu në rritje në rajon, falë lidhjeve politike./BIRN
Lini një Përgjigje