
Policia ka arrestuar të riun, që u përplas me anëtarët e Këshillit Bashkiak në Pogradec.
Policia njofton se shtetasi Kevi Muçllari, 27 vjeç, banues në Pogradec, është arrestuar në flagrancë dhe dyshohet për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”. Ngjarja ka ndodhur më 10 nëntor 2025, rreth orës 14:25.
Sipas raportit zyrtar, Muçllari fillimisht ka debatuar dhe ka ofenduar anëtarët e Këshillit Bashkiak, ndërsa më pas ka goditur me grusht shtetasin E. Sh., 47 vjeç, anëtar i këshillit.
Materialet e mbledhura nga specialistët për Hetimin e Krimeve i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Sipas informacioneve sherri nisi për një vendim që mori Këshilli Bashkiak mbi shpronësimin në zonën e Çërravës në Pogradec. I riu preket nga ky vendim dhe shpërtheu në akuza ndaj anëtarëve të Këshillit, më pas debati degjeneroi në konflikt fizik.
Vendimi që u miratua sot ka disa muaj që shkaton debate, pasi kullotat në fshatin Çërrvë do të jepen për parqe fotovoltaike. Banorët kanë protestuar disa herë, por askush nuk i dëgjoi.
Lini një Përgjigje